Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka njoftuar se situata e krijuar nga vërshimet e djeshme në disa komuna të vendit është aktualisht nën kontroll, ndërsa institucionet shtetërore kanë qenë të angazhuara pa ndërprerë në terren.
“Dje, gjatë gjithë ditës, në mbrëmje si dhe gjatë natës, ekipet e agjencive të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, përfshirë edhe ministrat përkatës, Xhelal Sveçla dhe Hysen Durmishi, kanë qenë në terren për të përcjellë situatën e rënduar nga vërshimet dhe për të bërë ndërhyrjet e nevojshme”, ka shkruar Kurti.
Ai ka bërë të ditur se institucionet qendrore kanë mbështetur edhe autoritetet lokale në evakuimin e banorëve nga zonat e rrezikuara, ndërsa ministri Elbert Krasniqi ka qenë në komunikim të vazhdueshëm me kryetarët e komunave të prekura.
“Forca e Sigurisë e Kosovës ka vendosur gjatë gjithë kohës në gatishmëri njësitet e saj, ka mbajtur kontakte me shtabet lokale emergjente dhe në Gjakovë ka mbështetur autoritetet lokale dhe qendrore në evakuimin dhe vendosjen e familjeve të rrezikuara”, ka theksuar Kurti, duke shtuar se vëmendje e veçantë i është kushtuar ruajtjes së infrastrukturës kritike.
Sipas raporteve të Agjencisë së Menaxhimit Emergjent, vërshimet kanë prekur një numër të madh komunash, përfshirë: Fushë Kosovën, Lipjanin, Obiliqin, Drenasin, Podujevën, Shtimen, Graçanicën, Prizrenin, Suharekën, Malishevën, Rahovecin, Mamushën, Dragashin, Mitrovicën, Vushtrrinë, Skenderajn, Klinën, Istogun, Junikun, Deçanin dhe Pejën.
“Ekipet operative vazhdojnë të jenë në terren, duke monitoruar gjendjen dhe duke qëndruar në gatishmëri të plotë. Aktualisht, situata sot është nën kontroll”, ka bërë të ditur Kurti, duke shtuar se përveç dëmeve materiale në infrastrukturë dhe prona private, fatmirësisht nuk ka raste të lëndimeve serioze.
Ai ka theksuar se gjatë natës ka pasur intervenime në shumë lokacione për shkak të rrëshqitjeve të dheut dhe gurëve, si dhe për pastrimin e pusetave të bllokuara, ndërsa kompanitë përgjegjëse vazhdojnë të jenë në gatishmëri.
Në fund, Kurti ka falënderuar të gjitha ekipet e angazhuara dhe qytetarët për bashkëpunimin.
“Falënderoj zyrtarët e agjencive shtetërore, ekipet profesionale të zjarrfikjes dhe shpëtimit dhe institucionet e sigurisë për reagimin e tyre vetmohues. Falënderoj qytetarët për solidaritetin dhe u bëj thirrje që të vazhdojnë t’i ndjekin me vëmendje udhëzimet e institucioneve publike deri në tejkalimin e plotë të gjendjes”, ka përfunduar ai.
