Shpërthimi i ujit të akumuluar në minierën e Artanës ka shkaktuar vërshime në zonë.
Drejtori i minierës, Hasim Berisha, ka konfirmuar rastin të shtunën.
Ai ka thënë se bëhet fjalë për shpërthim të një uji që ishte grumbulluar prej vitesh në një zonë që nuk ishte ditur. Rrjedhja e papritur ka ndodhur në horizontin e gjashtë. Në një deklaratë Berisha ka thënë se tash situata është nën menaxhim dhe ka rënë niveli i ujit që ka shpërthyer.
“Ka pasur një shembje para tre vjetësh në korridorin kryesor dhe ne jemi munduar ta tejkalojmë gjendjen e tash uji rastësisht ka depërtuar dhe është grumbulluar në pjesën e pasme. Nuk e ka pa askush dhe ka shpërthyer”, ka thënë ai.
Ai ka konfirmuar se puna do të vazhdojë e rregullt nga dita e hënë.