I madh e i vogël rrokën kovat për ta nxjerrë ujin nga shtëpia.
Një familje 15 anëtarëshe nga Sopniqi i Rahovecit, gjatë të dielës, nxorën jashtë ujin që ia vërshoi shtëpinë një ditë më parë.
Dëmi që fatmirësisht qe vetëm material, për ta është i papërballueshëm. E nga përmbytjet po pësojnë tash e disa herë edhe banorë të tjerë nga ky fshat.
As shkolla e fshatit nuk i shpëtoi vërshimeve, që dyshemenë ia bënë jofunksionale.
Kryetari i Rahovecit, Smajl Latifi, konfirmoi se nga e hëna do të nisë evidentimi i krejt avarive, teksa kompensimin e pret nga qeveria.
E që situata e një dite më parë të mos përsëritet, në ndihmë do t’i dalë edhe Forca e Sigurisë, që të dielën ishte në terren.
Nga reshjet e dendura të shiut në këtë fundjavë pësuan rreth 15 fshatra të Rahovecit.