Kanë mbetur edhe pak javë deri në fillimin e vitit të ri shkollor.
Në pothuajse çdo fillim vit shkollor raportohet për probleme lidhur me furnizimin me tekstet dhe materialet e nevojshme shkollore.
Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci ka mbajtur sot një konferencë për media nga ku ka shpalosur detaje lidhur me nisjen e procesit mësimor si dhe përgatitjet që janë duke u bërë në këtë aspekt.
Nga aty Nagavci ka theksuar se edhe këtë vit librat për nxënësit nuk do të dërgohen falas nëpër shkolla por që prindërit do t’i blejnë ato e më pas do të kompensohen për tekstet e blera shkollore.
Ajo ka njoftuar se ky vendim ka ardhur pas një mbledhje me drejtoritë komunale.
Nagavci theksoi se prindërit do të mund të aplikojnë për subvencionim qysh nga dita e nesërme.
“Edhe sivjet tekstet mësimore, do të ofrohen sipas praktikës së vitit të kaluar: subvencionit të prindërve të cilët do të kenë mundësi të aplikojnë që nesër. Subvencionojmë edhe mjetet shkollore me proces transparent, dhe që shmang mundësinë e çfarëdo keqmenaxhimi që ka ndodhur në të kaluarën. Aplikimi hapet nesër në E-Kosova, besojmë që do të jetë shumë më lehtë pasi të gjithë prindërit që kanë hapur platformën, i kanë llogaritë aktive”, deklaroi ajo.
Mirëpo ky vendim duket se nuk i ka pëlqyer Asociacionit të Komunave të Kosovës.
Për Gazeta Enigma, ata kanë shprehur brengën e tyre për subvencionimin e teksteve shkollore për nxënësit.
Sipas tyre do të ketë përsëritje të situatës ngjajshëm me atë të vitit të kaluar.
“Drejtorët komunal të arsimit shprehën brengën që me 1 shtator nxënësit nuk do i kenë të gjitha librat shkollor, bazuar në kohën e shkurtë në dispozicion deri më 1 shtator dhe praktikën e vitit të kaluar”, thuhet në reagimin e tyre.
“Ka pasur kërkesa nga drejtorët komunal, bazuar në përvojat e tyre, që procesi i shpërndarjes së teksteve mësimore të bëhet duke i dërguar drejpërdrejtë nëpër shkolla sepse MASHTI i posedon të gjitha informatat për nr e nxënësve për secilën shkollë”
“Përkundër vonesave në procedura nga ministria, drejtorët e DKA-ve u shprehën të gatshëm ta ndihmojnë procesin brenda kompetencave të tyre vetëm që nxënësit të kenë të gjitha tekstet shkollore në ditën e parë të fillimit të vitit të ri shkollor”, theksohet tutje në reagimin e AKK-së. /Gazeta Enigma