Viti i ri shkollor pritet të nisë me 1 shtator, me pjesëmarrje fizike

Viti i ri shkollor pritet të nisë me 1 shtator, me pjesëmarrje fizike

Numri i të infektuarve me COVID-19 është rritur dukshëm ditëve të fundit në Kosovë.

Së fundit, grupmosha më e infektuar po del të jenë të rinjtë.

Por, pavarësisht këtyre shifrave, Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit po planifikon që viti i ri shkollor të fillojë me pjesëmarrje fizike, me mësim të rregullt.

Kështu po thonë nga kjo ministri.

“Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit është duke planifikuar që viti i ri shkollor të fillojë me pjesëmarrje fizike në shkolla dhe me mësim të rregullt. Aktualisht janë duke u bërë të gjitha përgatitjet për fillimin e vitit të ri shkollor”, thuhet në përgjigjen e tyre për medie.

Sipas tyre, viti i ri shkollor pritet të nisë me 1 shtator.

“Viti i ri shkollor 2021-2022 parashihet të nis më 1 shtator”, thuhet në përgjigjen e MASHTI-it.

Ata thanë se janë në në kontakt të vazhdueshëm me Ministrinë e Shëndetësisë dhe IKSHPK-në të cilat japin rekomandimet përfundimtare.

“Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit është duke e përcjellë situatën me Covid-19 dhe është në kontakt të vazhdueshëm me Ministrinë e Shëndetësisë dhe IKSHPK-në të cilat japin rekomandimet përfundimtare andaj, për detaje tjera do të njoftoheni me kohë”, thonë nga MASHT .

MASHTI edhe njëherë u ka bërë thirrje të gjithë punëtorëve të arsimit, përfshirë atyre të nivelit para universitar dhe të arsimit të lartë që të vaksinohen kundër Covid-19.

Deri tani janë vaksinuar rreth 25 mijë nëpunës arsimor

Nga të dhënat e fundit, sipas Ministrisë së Shëndetësisë, janë vaksinuar rreth 25 mijë nëpunës të arsimit.

“Të dhënat e fundit janë se 25 000 nëpunës të arsimit (profesor, mesimdhenes, drejtor shkollash, referente në shkolla…) janë vaksinuar deri tash kundër COVID-19”, kanë thënë nga Ministria e Shëndetësisë 

Kryesindikalisti i arsimit: MSH-ja të hap më shumë qendra vaksinimi

E për të filluar vitin e ri shkollor mësimdhënësit janë të gatshëm, mirëpo mbetet ende për ta shikuar situatën pandemike dhe vendimet që sjell IKSHPK dhe MSH.

Kështu tha Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj.

“Kemi biseduar gjerë e gjatë dhe është qëndrim i përbashkët që edhe këtë vit shkollor ta fillojmë me 1 shtator, pra mësimdhënësit e Kosovës edhe në vitin e kaluar dhe këtë vit kanë qenë të gatshëm dhe janë të gatshëm për ta filluar vitin në institucione por e gjitha varet nga situata që do e kemi. Por duhet të them të vërtetën të gjithë kjo varet nga vendimet që sjellin Ikshpk dhe MSH, duke përcjellë situatën aktuale”, tha Jasharaj.

Ai tha se numri i mësimdhënësve që po vaksinohen është rritur.

Jasharaj kërkoi nga MSH-ja të hapin më shumë qendra të vaksinimit, në mënyrë që të mos ketë nevojë për pritje me radhë.

“Apeli ynë është drejtuar MSH-së, le të hap më shumë qendra të vaksinimit në mënyrë që mos të ketë pritje të shumta, mos të ketë grumbullime të shumta”, tha Jasharaj, përcjellë Gazeta “Enigma”.

Related Articles