Vizita e kancelarit gjerman në Kosovë: Vizitë me shumë rëndësi duke u ditur fuqia e Gjermanisë

Vizita e kancelarit gjerman në Kosovë: Vizitë me shumë rëndësi duke u ditur fuqia e Gjermanisë

Ditën e sotme në një vizitë zyrtare në Kosovë ka ardhur kancelari gjerman Olaf Scholz, ku u prit nga kryeministri i vendit Albin Kurti, raporton GazetaEnigma.

Scholz do të zhvillojë vizitë zyrtare vetëm me kryeministrin Albin Kurti, me të cilin do të mbajnë edhe konferencë për media.

Sipas njoftimit nga zyra e tij është bërë e ditur se Scholz do të qartësojë perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor dhe shpalos kontributin gjerman në përmirësimin e bashkëpunimit rajonal.

Vizita e kancelarit gjerman sipas njohëseve të procesit të dialogut pritet t’i jap shtytje të re të bisedimeve kosovaro-serbe nën lehtësimin evropian.

Sa i përket kësaj vizite Gazeta Enigma, ka kontaktuar me njohësin e mardhënieve ndërkombëtare, Shqiprim Pula.

Sipas tij një vizitë e tillë është shumë e rëndësishme duke u ditur kapaciteti dhe fuqia e shtetit Gjerman në Europë.

“Ardhja e kancelarit Gjerman, zotëriu Olaf Scholz në rajon, e veçanërisht në Prishtinë, duhet kuptuar si vizitë me shumë rëndësi për shkak të fuqisë që shteti Gjerman ka në Europë dhe brenda Unionit Europian, si lidership i shumë proceseve, e mbi shumë tema të hapura e të mbetura pezull si rezultat i disa faktorëve por specifikisht vullnetit të munguar politikë nga palët e përfshira në gjitha proceset. Natyrisht, kjo ngecje, lidhet edhe me ngarkesën e të kaluarës tonë historike-politike brenda rajonit tonë.”, tha Pula.

Ai theksoi se tani pasi Britania e Madhe nuk është më në EU, rolin primar e ka Gjermania, prandaj dhe ardhja e tij ka qenë nevojë dhe domosdoshmëri.

“Tashmë, kur Britaninë e Madhe nuk e kemi brenda UE-së, Gjermania ka rolin primar dhe përmbajtësor për shumë procese që lidhen me Kosovën dhe rajonin në tërësi. Andaj dhe, ardhja e kancelarit Gjerman Scholz duhet çmuar e përshëndetur si nevojë dhe domosdoshmëri për të nxitur palët për fqinjësi normale”, u deklarua Pula.

Kjo vizitë nga kancelari Scholz në Prishtinë konfirmon miqësinë dhe përkrahjen e vazhdueshme të Gjermanisë ndaj Kosovës.

“Turi i vizitave në rajon të kancelarit Scholz, dhe sot në Prishtinë, do të konfirmoj miqësinë ndërmjet dy vendeve tona”, shtoi Pula.

Ai gjithashtu theksoi edhe disa nga pritshmërit nga ky takim.

“Ky takim do të konfirmoj mbështetjen e pakusht mbi ‘Procesin e Berlinit’ dhe dhënies së një date të mundshme për takimin e radhës për Western Balkan 6 (WB6); do të kërkoj vazhdimin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për t’i dhënë shtytje ngecjes tash e një kohë të dialogut; njëherit, qeveria e Republikës së Kosovës t’a lus kancelarin Scholz, që të kërkoj nga pesë vendet anëtare të UE-së që t’a njohin shtetësinë tonë, në mënyrë që të lehtësohet aspirata jonë për anëtarësime në organizata Europiane dhe ndërkombëtare, njohje të cilat do të lehtësonin rrugën drejtë integrimit edhe në Union Europian”, përfundoi ai.

Ndërkaq Scholz pak para se të arrijë në Kosovë, përmes një postimi në Twitter, ka shprehur mbështetjen për Procesin e Berlinit.

“Sot dhe nesër do të jem në Kosovë, Serbi, Maqedoni të Veriut, gjithashtu në Greqi dhe Bullgari. Unë dua të promovoj procesin e integrimit në Bashkimin Evropian në nivel lokal dhe të mbështes shkëmbimin rajonal, në kuadër të Procesit të Berlinit. Gjithashtu do të koordinohemi për përgjigjen tonë të përbashkët ndaj agresionit dhe luftës së Rusisë në Ukrainë”, shkruan kancelari.

Ndryshe më 4 maj, kryeministri gjerman priti ndaras në Berlin, kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Vizita e Scholz, konsiderohet historike pasi që vjen gjashtë muaj nga data kur socialdemokrati u votua në Bundestag për kancelar të ri të Gjermanisë.

Paraardhësja në post e Scholz, gjatë udhëheqjes 16 vjeçare të republikës federale të Gjermanisë, qëndroi për vizitë zyrtare në Kosovë, vetëm njëherë.

Gjatë turit dyditor në Ballkanin Perëndimor, kancelari gjerman Olaf Scholz pas Kosovës dhe Serbisë, do të shkojë edhe në Maqedoninë e Veriut, Greqi dhe Bullgari. /GazetaEnigma

Related Articles