Vizita e papritur e Lajçakut në Kosovë, BE: Ka të bëjë me dialogun

Vizita e papritur e Lajçakut në Kosovë, BE: Ka të bëjë me dialogun
Nga Bashkimi Europian kanë thënë se vizita e pa njoftuar e emisarit të unionit europian për dialogun Kosovë-Serbi, të cilin e quajtën si vizitë pune, kanë për qëllim çuarjen përpara procesin e dialogut.

Kështu është deklaruar zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, në një prononcim për lajmi.net. I njëjti ka thënë se në takim pritet të diskutohet edhe për çështjet aktuale që kanë të bëjnë me dialogun.

“Është pjesë e punës së Përfaqësuesit Special të BE-së Lajčák të udhëtojë dhe të takojë partnerë në rajon, si dhe në BE dhe më gjerë. Ne nuk njoftojmë domosdoshmërisht dhe nuk komentojmë çdo takim pune apo ndërveprim të tij me partnerët në rajon. Këto vizita pune, njësoj si ajo e sotme në Kosovë, po zhvillohen në kuadër të çuarjes përpara të procesit të Dialogut dhe vazhdimit të diskutimeve për marrëdhëniet gjithëpërfshirëse të normalizimit dhe për çështjet aktuale që kanë të bëjnë me dialogun e lehtësuar nga BE-ja”, deklaron Stano.

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, sot do të presë në takim përfaqësuesin e Posaçëm të Bashkimit Evropian, Miroslav Lajçak.

Kjo është konfirmuar nga zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu.

Kryeziu ka njoftuar se Lajçak është duke qëndruar në Kosovë.

“Kryeministri Kurti nga ora 14:00 po zhvillon takimin me Përfaqësuesin e Posaçëm të Bashkimit Evropian, Lajçak që po qëndron në Kosovë. Pastaj vazhdon agjendën ditore të takimeve zyrtare”,deklaroi ai.

Kjo vizitë e Lajçak nuk është lajmëruar më parë, edhe pse i njëjti bashkë me dy emisarë të tjerë atë të Gjermanisë dhe Francës për dialogun Kosovë-Serbi, qëndruan javën e kaluar në Kosovë dhe në Serbi.

Kryeministri Kurti pak më parë është larguar nga salla e Kuvendit të Kosovës, derisa po debatohej për grevën, që të takohej me Lajçak. 

Related Articles