Rastet e dhunës në familje janë në rritje çdo ditë e më shumë. Zakonisht viktima janë gratë, të cilat përjetojnë dhunë psikike e fizike jo vetëm nga bashkëshortët, por edhe nga pjesëtarët tjerë të familjes. Në konflikte të tilla shpesh përfshihen edhe vjehërria, të cilët ushtrojnë dhunë ndaj nuseve të tyre.
Burimet e Sinjali nga Prokuroria kanë bërë me dije se një rast i tillë është raportuar të ketë ndodhur së fundmi në një familje në Fushë Kosovë, ku një 24-vjeçare i ka denoncuar në Polici prindërit e bashkëshortit, vjehërrinë e saj.
Bazuar në dëshminë e viktimës të dhënë para hetuesve policorë, vjehërria e saj kanë ushtruar dhunë fizike dhe psike, duke i shkaktuar shqetësim e frikë të madhe.
Sipas informacioneve të para, vjehrri e ka sulmuar nusen me shkop druri, kurse vjehrra e ka grushtuar – duke i shkaktuar lëndime trupore.
Përballë kësaj situate, viktima ka vendosur që të kërkojë ndihmë, duke i raportuar të dyshuarit në Polici, me ç’rast ka rrëfyer për dhunën që ka përjetuar në shtëpinë e burrit.
Si rezultat i raportimit, të dyshuarit janë shoqëruar në stacion policor, ku kanë dhënë deklaratat e tyre dhe më pas me urdhër të Prokurorit të Shtetit janë dërguar në mbajtje.