Vodhi pikturat e Picassos dhe i shiti për 150 euro, kosovari dënohet me katër vjet e gjysmë burgim

Vodhi pikturat e Picassos dhe i shiti për 150 euro, kosovari dënohet me katër vjet e gjysmë burgim

Katër vjet e gjysmë burgim. Kaq është dënuar një 37-vjeçar me shtetësi të dyfishtë kosovare dhe serbe, raporton Gazeta Enigma.

Ai në vitin 2020 kishte vjedhur piktura të Pablo Picassos në Zvicër.

Rasti kishte ndodhur në shtëpinë e një pensionisti 80-vjeçar në Weinfeld TG.

Shuma totale e gjërave të vjedhur kapte vlerën e 75 mijë frangave zvicerane apo (77 mijë eurosh), në mesin e tyre ishin edhe dy piktura të Picassos, që në treg kapnin vlerën e 50 mijë frangave apo mbi (51 mijë eurosh), shkruajnë mediat zvicerane përcjell Klankosova.tv

Burri nga Kosova u kap nga policia në vitin 2021, për një vjedhje tjetër që kishte bërë.

Ai ka deklaruar se i kishte shitur pikturat me një çmim prej 150 eurosh.

“Ishin false, i kam shitur në treg për 150 euro”, deklaroi ai para gjykatës.

Tutje ai deklaroi se nuk kishte dashur që ta lëndonte të moshuarin.

37-vjeçari tregoi se shumën e parave të vjedhura e kishte humbur duke luajtur poker.

Avokati i kosovarit ka kërkuar lirim me kusht të klientit të tij.

Por, gjykata ka vendosur ndryshe duke e dënuar me katër vjet e gjysmë burrin nga Kosova.

Po ashtu ai u dëbua nga Zvicra për 10 vjet.

Kosovari duhet të paguajë edhe shpenzimet e gjyqit dhe një dëmshpërblim prej 25 mijë e 680 frangash për gjërat e vjedhura.

Related Articles