Në mesjavë u zhvillua xhiroja e nëntë në kampionatin italian Serie A, e cila prodhoi shumë gola dhe sfida interesante.
Java nisi të martën me Napolin që triumfoi ndaj Lecces në transfertë dhe Milani që luajti baras ndaj Atalantës.
Juventusi e mposhti në shtëpi Udinesen, ndërsa Roma siguroi fitore ndaj Parmës para tifozëve të saj. Interi gjithashtu tregoi fuqinë duke triumfuar bindshëm ndaj Fiorentinës në ‘Giuseppe Meazza’. Fitore mori edhe Como, të cilët mposhtën Hellas Veronën në shtëpi me rezultat 3-1.

Një ndër autorët e golave në këtë sfidë ishte edhe ylli kosovar Mërgim Vojvoda. Ky ishte goli i tij i parë këtë sezon, që ia siguroi vendin në formacionin më të mirë të javës në Serie A.
Vojvoda u përfshi në formacion së bashku me yje të tjerë si Hakan Calhanoglu, Nicolo Zaniolo dhe Ademola Lookman.
Reprezentuesi kosovar do të rikthehet sërish në aksion me Comon nesër (e shtunë), ku e pret një sfidë tejet e vështirë në udhëtim ndaj kampionit në fuqi, Napolit.

 
											 
											 
											 
											 
											 
											