Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola Von Cramon – Taubadel, ka dorëzuar draftin e raportit të saj vjetor për Kosovën në Parlamentin Evropian.
Fillimisht ky draft-raport do të diskutohet në Komisionin për Politikë të Jashtme, ndërsa më vonë gjatë vitit edhe në seancë plenare.
Ky tekst përmban pikat e përgjithshme, ngjashëm me raportet e viteve të shkuara, por merr parasysh edhe zhvillimet që kanë ndodhur ndërkohë.
Në këtë draft-raport, Parlamenti Evropian “mirëpret aplikimin e Kosovës për anëtarësim në BE, që reflekton orientimin pro-evropian të qytetarëve të saj dhe përcaktimin e qartë gjeopolitik”.
Kosova ka aplikuar për anëtarësim në BE në dhjetor të vitit të kaluar, kur Çekia kryesonte bllokun, ndërsa tash Presidenca suedeze është duke u konsultuar me vendet anëtare për hapat e mëtejmë.
Në draft thuhet, po ashtu, se “mirëpritet marrëveshja e shumëpritur për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës”. Parlamenti Evropian ka insistuar për shumë vite që liberalizimi i vizave të bëhet sa më shpejt, shkruan REL.
Në fund të vitit 2022, vendet anëtare të BE-së më në fund kanë arritur pajtueshmëri për të finalizuar procesin e liberalizmit të vizave për qytetarët e Kosovës. Ky vendim pritet të hyjë në fuqi në janar të vitit 2024.