Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon ka shprehur ngushëllime pas vrasjes së tre personave në një autobus që po barte nxënës nga Gjakova në Deçan.
“Ngushëllimet e mia të thella popullit të Kosovës për humbjen tragjike të 3 jetëve në sulmin monstruoz të djeshëm në Gllogjan”, ka shkruar ajo në një postim në “Twitter”.
Von Cramon ka kërkuar hetim të shpejtë për rastin.
“Hetimi i shpejtë dhe vënia para drejtësisë e sulmuesit është një domosdoshmëri”, ka shkruar më tutje ajo.
Policia e Kosovës ka dal me raport për sulmin makabër që u krye mbrëmë në Gllogjan, ku u vranë tre persona dhe u plagos një.
Policia ka bërë me dije se shoferi ka vdekur në vendin e ngjarjes, derisa dy nxënësit kanë vdekur në spital.
Sipas Policisë, dyshimet janë se autobusi është sulmuar me kallash.
“Fsh. Gllogjan, Deçan 26.11.2021-18:58. Është raportuar se një autobus derisa ishte duke bartur udhëtarë (nxënës) është sulmuar me armë zjarri (dyshohet të jetë AK-47) nga një i dyshuar i panjohur. Në këtë rast lëndime vdekje-prurës ka pësuar drejtuesi i autobusit, viktima mashkull kosovar, vdekjen e të cilit e ka konstatuar ekipi mjekësor në vendin e ngjarjes”.
“Ndërsa tri viktima, dy meshkuj dhe një femër (nxënës) janë dërguar në Spitalin Rajonal Pejë, dy prej tyre kanë ndërruar jetë (një mashkull dhe një femër ) ndërsa viktima tjetër është duke u trajtuar në spital. Njësitet relevante kanë dalë në vendin e ngjarjes. I dyshuari gjendet në arrati, rasti në procedurë hetimore”, thuhet në raport./Gazeta Enigma/