Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka thënë se i takon Kosovës të vendosë nëse do të ndryshojë Ligjin për Dhomat e Specializuara, por ka theksuar se në çdo rast duhet të garantohet pavarësia e gjyqësorit.
Von der Leyen i bëri këto deklarata në konferencën për media pas takimit me kryeministrin Albin Kurti në Prishtinë, duke folur për nismën për ndryshimin e ligjit që rregullon funksionimin e Dhomave të Specializuara.
“Ndryshimi i përket Kosovës të vendosë. Me rëndësi të garantohet pavarësia e gjyqësorit dhe, në këtë kuadër të pavarësisë, i përket Kosovës të vendosë se çfarë të bëjë ose jo. Është me rëndësi që gjyqësori të mbahet i pavarur”, ka deklaruar von der Leyen në konferencë për media pas takimit me kryeministrin Albin Kurti në Prishtinë.
Deklarata e saj vjen pasi Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka dorëzuar në Kuvend projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar. Nisma parasheh ndryshime në kuadrin ligjor që përcakton mandatin dhe funksionimin e këtij institucioni.
