Lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka folur për çështjen e lejimit apo jo të mbajtjës së zgjedhjeve serbe në Kosovë.
Ndër të tjera, Haradinaj ka thënë se zgjidhja për këtë është marrëveshja gjithëpërfshirëse me Serbinë për njohje reciproke.
“Tej zgjatja e arritjes së marrëveshjes do të përkeqësojë angazhimin tonë për paqen në Ballkan”, ka thënë ai.
Ndryshe, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka dhënë qartazi qëndrimin e tij lidhur me mbajtjen e zgjedhjeve serbe të 3 prillit në Kosovë.
Ai është shprehur se Qeveria e Kosovës nuk mund dhe s’do të veprojë në kundërshtim me ligjshmërinë dhe kushtetutshmërinë e vendit, duke nënkuptuar se këto zgjedhje s’do lejohen në Kosovë.
Sipas një komunikate të Qeverisë, Kurti i ka bërë këto deklarata gjatë një takimi virtual me ambasadorët dhe shefat e misioneve diplomatike dhe konsullore të Kosovës.
Kurti u ka thënë ambasadorëve dhe përfaqësuesve diplomatikë se “ne nuk dëshirojmë që t’ua pamundësojmë të drejtën e votës qytetarëve të Republikës sonë që kanë dyshtetësi, por në të njëjtën kohë nuk mund të veprojmë në kundërshtim me ligjshmërinë dhe kushtetutshmërinë e vendit”. /Gazeta Enigma/.