Tri marrëveshje ndërkombëtare kanë marrë dritën jeshile këtë të hënë në seancën e Kuvendit të Kosovës.
83 deputetë votuan për miratimin e projektligjit nr. 08/L-073 për ratifikimin e këmbimit të Notave Diplomatike në lidhje me asistencën e ofruar në formë granti sipas Aktit për ndihmë të jashtme të vitit 1961 dhe Aktit për kontroll të shitjeve të armëve mes Republikës së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Miratimit i parapriu një debat në Kuvend mes partive.
Abelard Tahiri i PDK-së tha se se do ta votojnë, por pyeti Qeverinë, se a nuk po i beson SHBA-së tek që e ka sjell për votim. Në anën tjetër deputeti i LDK-së, Anton Çuni, kërkoi shpjegime për të njëjtën çështje. AAK ishte rreshtuar që në fillim krah miratimit të marrëveshjes.
Krahas saj, me 80 vota për kaloi edhe marrëveshja tjetër ndërkombëtare, projektligji nr. 08/L-068 për ratifikimin e “Amendamentimit nr. 1 të Marrëveshjes Financiare për IPA 2016 ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian”.
Njëjtë u votua edhe marrëveshja e tretë ndërkombëtare.
Projektligji nr.08/L-069 për ratifikimin e Marrëveshjes në mes të Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Zvicrës për Zhvillim dhe Bashkëpunim mbi programin Menaxhimi i Integruar i Burimeve Ujore në Kosovë u votua nga 83 deputetë.
Votimin e saj e kërkoi kryetari i Komisionit për Buxhet, Punë dhe Transfere, Armend Muja. Ai tha se Zvicra parashihet që të investojë 20 milionë franga në sektorin e ujit në Kosovë.
Projektligji u përkrah nga të gjitha partitë opozitare, PDK, LDK dhe AAK, të cilët e falenderuan Zvicrën për ndihmën e vazhdueshme në sektorin e furnizimit me ujë për qytetarët e Kosovës./Gazeta Enigma/