Voziti 227 km/h aty ku lejohej 80, shoferi në Zvicër rrezikon deri në katër vjet burgim

Voziti 227 km/h aty ku lejohej 80, shoferi në Zvicër rrezikon deri në katër vjet burgim

Një shofer në kantonin e Bernës rrezikon deri në katër vjet burg, pasi dyshohet për një seri shkeljesh të rënda të kufizimeve të shpejtësisë. Në rastin më ekstrem, ai kishte vozitur me 227 kilometra në orë në një rrugë ku shpejtësia maksimale e lejuar ishte 80 km/h.

Sipas Policisë Kantonale të Bernës, shoferi dyshohet se ka kryer gjithsej dhjetë shkelje të rënda të shpejtësisë brenda vetëm pesë javësh.

Një tjetër rast i rëndë është regjistruar në fshatin Bühl, ku ai kishte arritur shpejtësinë prej 141 km/h në një zonë me kufizim prej vetëm 50 km/h, transmeton albinfo.ch.

U identifikua përmes videove në rrjetet sociale

Ajo që e bën rastin edhe më të pazakontë është mënyra se si autoritetet arritën ta identifikonin shoferin.

Sipas raportimit, policia arriti të siguronte prova edhe falë videove që vetë shoferi kishte publikuar në rrjetet sociale, ku dokumentoheshin vozitjet me shpejtësi ekstreme.

Pas hetimeve, autoritetet ia kanë sekuestruar veturën, ndërsa leja e tij e vozitjes është revokuar.

Shoferi tani përballet me pasoja të rënda penale dhe, sipas raportimit, mund të dënohet deri në katër vjet burg.

Psikologët e trafikut në Universitetin e Bernës thonë se personat që kryejnë shkelje të tilla shpesh kërkojnë vëmendje dhe afirmim në rrjetet sociale, duke e nënvlerësuar ndjeshëm rrezikun që sjellin për veten dhe përdoruesit e tjerë të rrugës.

Related Articles