Prokurori i Krimeve të Rënda në Pejë, Ersan Qavolli tha se një vrasje makabre ka ndodhur sot në qytetin e Pejës, derisa foli para mediave pas ekzaminimeve të kryera në vendin ku u vra sot Gjyljeta Mushkolaj.
Mushkolaj u ekzekutua në banesën e saj nga bashkëshorti Edmond Lajqi. Çifti jetonin bashkë në banesën ku u krye krimi.
Në një deklaratë për media, Qavolli tha se i dyshuari, bashkëshorti i viktimës është ndaluar për 48 orë, gjersa i njëjti ka një aktgjykim për dhunë në familje gjatë vitit 2022.
Për shkak të ndjeshmërisë së rastit, prokurori i rastit tha se nuk mund të japë detaje tjera.
“Menjëherë e kemi nxjerr të kaluarën kriminale…. Kemi informata se i njëjti kishte edhe më herët një aktgjykim për dhunë në familje gjatë vitit 2022”, tha ai.
“Bëhet fjalë për një vrasje makabre në qytetin e Pejës. Është sekuestruar arma me të cilën dyshohet se është kryera vepra penale dhe i pandehuri është ndaluar për 48 orë”, tha ai.
Prokurori tutje bëri të ditur se trupi i pajetë do të dërgohet për obduksion.