Mbrëmjen e së mërkurës, pak minuta përpara mesnate, një lokal në fshatin Fier i Ri në Lushnjë, do të kthehej në një skenë krimi.
Sofokli Shani 57 vjeç, vrau me kallashnikov pronarin e lokalit, 62-vjeçarin, Rako Qorri, si dhe la të plagosur djalin e tij, Kejdi Qorri 31 vjeç. Gjithçka nisi për një birrë.
Autori i ngjarjes ka ardhur në lokal dhe ka kërkuar të pijë një birrë, por pronari i lokalit, viktima Qorri, i ka thënë se do të duhej të mbyllnin lokalin për shkak të orës policore. Por, autori Shani ka insistuar ç’ka më pas shkaktoi një konflikt fizik mes tyre. Shani ka marrë një karrige dhe ka qëlluar pronarin e lokalit, por ka ndërhyrë djali i këtij të fundit.
57-vjeçari merr motorrin e tij dhe largohet për në shtëpi, por disa minuta më pas rikthehet me një kallashnikov. Ai hyn nga hyrja e pasme e lokalit dhe qëllon Rako Qorrin duke e lënë të vdekur, ndërsa djali i tij i cili ishte pranë të atit mori plumba në këmbë.
Këtë të enjte, familja ka hapur dyer lokali për të pritur vizitat për ngushëllim.
Sipas burimeve, dyshohet se Sofokli Shani ka qenë nën efektin e alkoolit kur kreu këtë vrasje. 57-vjeçari më pas ka marrë motorrin përsëri dhe është larguar për në banesë. Pas njoftimit për ngjarjen, policia ka shkuar në shtëpinë e autorit dhe e ka arrestuar.
Mësohet se Shani, nuk ka bërë rezistencë ndaj policisë. Si provë materiale, policia sekuestroi kallashnikovin.