Vrau djalin e axhës se i hyri lopa në arë, familja e viktimës lëshojnë fshatin pasi ndihen të rrezikuar

Vrau djalin e axhës se i hyri lopa në arë, familja e viktimës lëshojnë fshatin pasi ndihen të rrezikuar

Tetori i vitit 2021, rajonin e Llapit e tronditi një ngjarje e rëndë ku një person kishte privuar nga jeta djalin e axhës së tij. Krimi kishte ndodhur në fshatin Gërdoc të Podujevës, pasi i dyshuari dhe viktima kishin pasur mosmarrëveshje verbale mes vete lidhur me shfrytëzimin e livadhit, përkatësisht kullotës së bagëtive.

Një vit e gjysmë pas rastit, gruaja dhe tre fëmijët e viktimës janë të detyruar të jetojnë larg shtëpisë së tyre, shkaku se thonë se ndihen të rrezikuar nga familja e dorasit.

I dyshuari Baki Brahimi një ditë para se ta privonte nga jeta djalin e axhës së tij, tani të ndjerin G.B., nga oborri i shtëpisë së tij, e cila kufizohej me oborrin e të ndjerit, kishte shtënë një fishek të armës në drejtim të shtëpisë së të ndjerit.

Një ditë më pas, konkretisht me 18 tetor 2021, në fshatin Batllavë të Podujevës, derisa djali i axhës së tij, tashmë i ndjeri G.B., ka qenë duke shkuar në punë me biçikletë, i akuzuari me veturën e tij e kishte goditur me anën e majtë të veturës dhe e kishte gjuajtur për tokë, i cili pas goditjes kishte përfunduar në një kanal të thellë 5 metra.

Sipas aktakuzës, i akuzuari pasi ishte larguar 20 metra, e kishte ndalë veturën dhe ishte kthyer mbrapa dhe ia kishte drejtuar armën duke ia shkrepur dy fishekë në kokë, më c’rast viktima kishte ndërruar jetë në vendin e ngjarjes.

Për këto veprime, Prokuroria Themelore në Prishtinë pas gjashtë muajsh, me 8 prill 2022, kishte ngritur aktakuzë ndaj Baki Brahimit për tri vepra penale “vrasje e rëndë”, shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm” dhe “armëmbajtje pa leje”, shkruan gazeta online Reporteri.net.

Gruaja e viktimës rrëfen mosmarrëveshjet mes të dyshuarit dhe ish-burrit të saj të vrarë

Gjatë fazës hetimore, në cilësinë e dëshmitares është intervistuar bashkëshortja e të ndjerit G.B., dëshmitarja N.B., e cila ka treguar për arsyen e përkeqësimit të marrëdhënieve të dy familjarëve.

Ajo në deklaratën e dhënë në polici ka treguar për një ngjarje tjetër kur i akuzuari Baki Brahimi kishte shtënë në shtëpinë ku ajo jetonte me burrin dhe fëmijët e saj.

Ajo ka thënë se ka qenë brenda në shtëpi kur ka dëgjuar zhurmën e të shtënave të armës dhe se më të dalë në oborr e kishte parë të akuzuarin para derës së shtëpisë së saj më armë në dorë duke u nisur në drejtim të shtëpisë së tij.

“Bashkëshorti im në atë moment ka qenë në arë me bagëti, ara gjendet menjëherë prapa shtëpisë tonë, unë kam dalë deri tek livadhi për ta thirrë bashkëshortin se dikush ka shtënë në derën e shtëpisë dhe se ka qenë Baki Brahimi”, kishte deklaruar gruaja e viktimës në polici.

Sipas saj, tani i ndjeri, 10 minuta përpara se i akuzuari të qëllonte në drejtim të shtëpisë, së bashku me djalin e tij dhe djalin e vëllait kishin qenë në livadhe duke punuar, derisa i akuzuari ishte afruar me një copë druri në dorë e i kishte kërkuar arsyetime në lidhje me bagëtinë në misrin e tij.

“Bashkëshorti më ka thënë se 10 minuta para kësaj Baki Brahimi së bashku më djalin e tij dhe djalin e vëllait kanë qenë në livadh dhe ai me një dru në dorë, i ka thënë “përse po i lëshon bagëtinë në misrin tim”, ndërsa G., i ka thënë se livadhi është i tij dhe se bagëtinë e ka lëshuar në livadhin e tij”, ka thënë dëshmitarja.

Ajo ka thënë se i akuzuari me të ndjerin nuk kanë pasur raporte as të mira e as të këqija mes vete edhe pse kanë qenë djem të axhës.

“Një muaj para ngjarjes derisa djemtë e mi kanë qenë duke i ruajtur bagëtitë në livadhe ka ardhur Bakiu me tërfurk në dorë i është afruar lopës dhe e ka goditur duke e therur lopën në shpinë, dhe lopa ka qenë duke u kullotur në mexhën tonë dhe të tij”, thotë e dëmtuara në deklaratën e saj para hetuesve e cila u bë pjesë e aktakuzës.

Ajo ka deklaruar se derisa djali i tij i është drejtuar të akuzuarit “mos ma prek lopën”, i akuzuari me dorezë të tërfurkut e kishte goditur në këmbë djalin e saj 13 vjeçar.

“Unë pas kësaj i kam treguar bashkëshortit se çfarë ka ndodhur dhe ai më ka thënë “ata janë fëmijë se ndoshta lopa ka hyrë në arën e tij dhe mos ta zmadhojmë”, dhe nuk ka pasur kurrfarë fjalosje në mes tyre deri në ditën kur Baki ka shtënë”, ka thënë dëshmitarja.

I dyshuari pranon vrasjen, thotë se viktima ia lëshoi lopën në kullosat e tij
I akuzuari Baki Brahimi gjatë mbrojtjes së tij së dhënë në polici me 18 tetor dhe në prokurori me 1 nëntor 2021, e ka pranuar fajësinë, por i njëjti ka deklaruar se ka shtënë në drejtim të të ndjerit nga frika se mos i ndjeri ka armë.

Ai kishte deklaruar se deri te mosmarrëveshja me të ndjerin ka ardhur pasi ky i fundit ia ka vendosur bagëtitë në livadhin e tij të mbjellë me misër.

“Një ditë para kemi pasur vetëm një fjalosje rreth pronës të cilën e kemi, ka qenë e mbjell fasule në parcelën time dhe kur kam shkuar aty unë kam parë se i ka qitë bagëtitë për të kullotur në pronën time e cila ka qenë e mbjellë me fasule. E kam pyetur “përse po më bënë dëme”, dhe ia kam tërhequr vërejtje 3-4 herë”, kishte deklaruar i akuzuari.

Pas kësaj, sipas të akuzuarit ka filluar fjalosja mes tyre dhe se i ndjeri e kishte mohor se ka qenë duke i shkaktuar dëme.

“Pas jemi ndarë, G., ka shkuar në shtëpinë e tij dhe unë në timen, në një moment kam parë se G., ka dalë me armë në duar dhe pasi unë isha në oborrin tim nga frikë që të mos më sulmon G., unë kam shtënë në ajër, nga pistoleta që e kam marrë në shtëpinë time”, kishte deklaruar ai, shkruan gazeta online Reporteri.net.

Sipas tij, pas kësaj ngjarje ka ardhur policia në shtëpinë e tij dhe e kishte kërkuar por nuk e kishte gjetur dhe ka lënë thirrje që të lajmërohet në stacion policor, dhe se ishte nisur për tu lajmëruar në polici.

“Jam nisur me veturë, derisa isha duke shkuar rrugës në Batllavë, kam takuar G., i cili voziste biçikletën dhe kam qenë me shpejtësi të madhe dhe pa dashje e kam goditur në anën e djathtë të veturës, G., ka rënë 4-5 metra larg rrugës, pas diku 20 metra menxi e kam ndalë kombin, jam kthyer për ta parë se çka ka ndodhur a mund ti ndihmoj, por G., ka qenë gjysmë i shtrirë dhe ai ka bërë disa lëvizje me dorën e djathtë dhe nga frika dhe stresi se mos ka armë me veti kam shtënë dy herë në drejtim të kokës së G.”, ka thënë i akuzuari.

Gjyqi për vrasjen që tronditi Llapin

Pavarësisht këtij rrëfimi ku ai ka shpjeguar se veprën penale e kishte kryer për shkak se ka qenë i frikësuar se mos qëllohet nga ana e të ndjerit, i akuzuari gjatë fazës së shqyrtimit gjyqësor, e ka pranuar fajësisë ashtu siç e përshkruan në aktakuzë Prokuroria Themelore në Prishtinë.

Pas kësaj, Gjykata Themelore në Prishtinë, ia ka aprovuar këtë pranim të fajësisë dhe të njëjtin për tri veprat penale e ka dënuar me dënim unik prej 17 vite e 10 muaj, mirëpo Gjykata e Apelit në qershor 2022, e kishte kthyer këtë rast në rivendosje. Kjo gjykatë ka gjetur shkelje nga gjykata e shkallës së parë, me arsyetimin se nuk janë respektuar dispozitat procedurale për pranimin e fajësisë.

Sipas Gjykatës së Apelit, ka përmendur rrethana të cilat nuk janë vërtetuar nga shkalla e parë, sidomos faktet që kanë të bëjnë me përgjegjësinë penale të të akuzuarit, i cili pretendon se veprat penale në fjalë i ka kryer nën ndikimin e frikës se do ta sulmojë tani i ndjeri.

Edhe pas kthimit të rastit në rigjykim, në shtator të vitit të kaluar, Brahimi e kishte pranuar fajësinë për të tri veprat penale, mirëpo kësaj herë gjykata pas pranimit të kësaj fajësie ka vendosur që i akuzuari Brahimi të dërgohet në ekzaminim psikiatrik në Institutin e Psikiatrisë Forenzike, në mënyrë që të vërtetohet se i akuzuari gjatë kryerjes së veprës penale a ka qenë në gjendje që të kuptojë natyrën dhe rëndësinë e pasojave të veprimeve të tij dhe a ka qenë në gjendje të paaftësisë ose aftësisë esencialisht të zvogëluar mendore.


Çka thotë ekspertiza psikiatrike e të dyshuarit?

Me urdhëresë të gjykatës, Instituti i Psikiatrisë Forenzike të Kosovës ka përpiluar një ekspertizë në lidhjen me gjendjen e shëndetit mendor të të akuzuarit Brahimi.

Në ekspertizën e siguruar nga gazeta online Reporteri.net, shpjegohet gjendja psikike e të akuzuarit.

“Te i ekzaminuari Baki Brahimi është përjashtuar çrregullimi i kualitetit psikotik kronik, prapambetja mendore, apo çrregullimi mendor si pasojë e dëmtimeve cerebrovaskulare trunore. Në momentin e kryerjes së veprës për të cilën akuzohet, aftësia për të kuptuar dhe kontrolluar veprimet e veta ka qenë e ruajtur”, thuhet në ekspertizën të cilën e ka siguruar gazeta online Reporteri.net.

Rasti është ende në proces dhe gjatë gjykimit pritet të dëgjohet eksperti i psikiatrisë.

Avokati i familjes së viktimës: Familja e tij lëshuan fshatin, ndihen të rrezikuar

Sipas avokatit Florim Sheremeti, e dëmtuara dhe tre fëmijët e saj që nga koha e kryerjes së veprës penale janë duke marrë qetësues për shkak të dëmeve shpirtërore të pësuara me humbjen e të afërmit të tyre.

Avokati Sheremeti, thotë se që nga vrasja e viktimës, familja e të ndjerit (bashkëshortja dhe tre fëmijët), e lanë lëshuar shtëpinë në të cilën kanë jetuar me të ndjerin dhe e cila është shumë afër shtëpisë së të akuzuarit dhe janë duke jetuar me qira në një lokacion tjetër.

Lidhur me raportet familjare mes të dëmtuarve dhe familjes së të akuzuarit avokati ka thënë se raportet janë përkeqësuar.

“Raportet janë shumë keq. Por problemi tjetër është se e dëmtuara para gjykatës ka deklaruar se ka problem me një gjykatë që për tri vepre penale e dënon me 18 vjet dhe se ajo ka problem që kur i akuzuari të dalë nga burgu, qysh me i nalë fminë mos me bo hakmarrje”, ka thënë avokati Sheremeti.

Lidhur me pronën e cila ka qenë objekt i kryerjes së veprës penale, sipas avokatit, të dëmtuarit nuk mund ta shfrytëzojnë dhe as të jetojnë aty për shkak të rrezikut nga familjarët e të akuzuarit.

Sipas avokatit, gjykata herën e parë i ka shqiptuar dënim shumë të ulët, nga një vit për shkaktim të rrezikut të përgjithshëm dhe armëmbajtje pa leje, dhe 16 vite për vrasje të rëndë.

“Masi që e ka godit me kombi, e ka gjujt në gropë, edhe para ekspertëve ka deklaruar se e kam pa tu qit me duar, dmth e ka pa tu dhanë shpirt edhe ky e godet menjëherë me plumb në ballë pastaj edhe herën e dytë se nuk i mjafton. Vrasja e rëndë dhe e paskrupullt. Dashja e tij për të kryer veprën ka qenë super direkte”, ka thënë avokati.

Ndryshe rasti është ende në proces në shkallë të parë dhe pritët që në seancën e radhës të dëgjohet eksperti i psikiatrisë në lidhje me gjendjen psikike të të akuzuarit gjatë kryerjes së veprës penale.

Related Articles