Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se java e dytë e muajit maj, do të jetë më e vështira për shtetin e tij por edhe Republikën Serbe të Bosnjës.
Gjatë një bashkëbisedimi që e kishte me presidentin e këtij entiteti, Millorad Dodik, Vuçiq, i tha atij se me shumë gjasë mëngjesin e 17 majit do të votohet për anëtarësimin e Kosovës në Këshill të Evropës, njofton Klankosova.tv.
Ai theksoi gjithashtu se ka shumë gjasë se më 13 maj në Nju Jork, Asambleja e Përgjithshme e OKB-së, do ta votojë Rezolutën që e njeh 11 korrikun Ditën Ndërkombëtare të Përkujtimit të gjenocidit në Srebrenicë.
Për dy këto ngjarje, Vuçiq më së shumti akuzoi Gjermaninë, por edhe shtete tjera, përderisa rriti dozën e kritikave ndaj BE-së, që sipas tij së shpejti i heq masat ndëshkuese ndaj Kosovës, që ai i quan sanksione e që askush nuk i ka parë.