Vuçiq nuk u takua me prindërit e serbëve të vrarë në lokalin “Panda” në Pejë, ata protestojnë në Beograd

Vuçiq nuk u takua me prindërit e serbëve të vrarë në lokalin “Panda” në Pejë, ata protestojnë në Beograd

Presidenti i Serbisë premtoi për herë të fundit më 28 shkurt të këtij viti se do të takohet me prindërit e të rinjve të vrarë në kafenenë “Panda” në Kosovë në vitin 1998.



Tre baballarë janë mbledhur para Presidencës së Serbisë. Njëri prej tyre, Lazar Obradoviq, thotë se këtë hap e kanë vendosur për të qenë të dukshëm.

“Ne ende po kërkojmë atë që kemi kërkuar për shtatë apo tetë vjet. Ne do të jemi këmbëngulës. Kërkojmë të na thuhet e vërteta dhe asgjë më shumë”, ka thënë Obradoviq

Ai shtoi se deri në vitin 2013 të gjithë besonin se shqiptarët e kishin kryer krimin ndaj të rinjve serbë, por kryeministri i atëhershëm i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, doli publikisht me informacione të tjera.

“Mirëpo, atëherë Vuçiq doli me tezën se shqiptarët e kanë bërë, se ai e di se çfarë ka ndodhur, por se nuk ka prova të mjaftueshme”, thotë Obradovqi.

Prindërit e gjashtë të rinjve të vrarë më 14 dhjetor 1998 në kafenenë “Panda” në Pejë, më herët i kanë dërguar një letër të hapur presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Në letër, ata i kërkojnë Vuçiqit që t’i pranojë në takim dhe t’u tregojë të gjitha informacionet se kush i ka urdhëruar, organizuar dhe vrarë fëmijët në Pejë.

Në një letër dërguar agjencisë Beta, prindërit theksojnë se që nga viti 2017 kanë kërkuar pa sukses takim me Presidentin e Serbisë një duzinë herë dhe se ai u ka premtuar atyre dhe publikut më 11 janar se do t’i priste në takim në fund të atij muaji.

“Edhe pse që nga viti 2017, dhjetë herë më kot jemi përpjekur të pranohemi tek ju, këtë herë kemi besuar se më në fund do ta bënit dhe do të na informonit për të gjitha njohuritë dhe provat që keni marrë apo që kanë marrë institucionet, të cilat, besojmë se po merren seriozisht me këtë krim. Mirëpo, deri më sot nuk kemi marrë asnjë përgjigje”, thuhet në letrën e prindërve.

Në letër, ata kujtojnë se kanë kaluar 25 vjet që kur “disa zuzar në mënyrë monstruoze” vranë gjashtë të rinj të pafajshëm serbë, djemtë e tyre – Svetislav Ristiq (18), Vukota Gvozdenoviq (16), Zoran Stanojeviq (18), Dragan Trifoviq (18), Ivan Radeviq (24) dhe Ivan Obradović (15) në kafenenë ‘Panda’ në Pejë.

Vuçiq në vitin 2013 tronditi opinionin në Serbi kur tha se ka informacione se serbët e vrarë në Pejë nuk janë vrarë nga shqiptarët, por nga njerëz të sigurimit të atëhershëm serb.

Related Articles