Vuçiq reagon pas deklaratës së Ramës për Open Balkan: S’besoj se ka thënë ashtu

Vuçiq reagon pas deklaratës së Ramës për Open Balkan: S’besoj se ka thënë ashtu

Edi Rama, kryeministri i Shqipërisë, gjatë ditës së djeshme deklaroi se Ballkani i Hapur e ka kryer misionin e vet dhe se tash duhet vazhduar intensivisht me Procesin e Berlinit.

Për presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq kjo deklaratë po duket e pabesueshme.

Vuçiq u shpreh kundër asaj që Rama tha se “duhet të futemi me kokë tani në Procesin e Berlinit”.

I njëjti shpreson që me kryeministrin e Shqipërisë të takohet së shpejti.

“Nuk besoj se Rama e ka thënë këtë. Shpresoj të kem mundësi ta shoh së shpejti. Ballkani i Hapur është një ide autonome dhe autoktone e njerëzve nga Ballkani”, tha ai në TV Prva.

Vuçiq tha se do të konsiderojë gjithmonë se çdo ide e krijuar në rajon është “më e mirë se ato që vijnë nga jashtë”.

“Kjo është shprehje e dëshirave dhe marrëdhënieve tona, jo diçka që e bëjmë nën sundimin e dikujt tjetër”, tha Vuçiq.

Vuçiq do të ketë mundësi ta takojë Ramën, pasi kryeministri i Shqipërisë paralajmëroi vizita në të gjitha shtetet e rajonit për t’i takuar kryeministrat dhe presidentët për t’i informuar për përgatitjet për Samitin e Procesit të Berlinit që mbahet në Tiranë këtë vit.

Related Articles