Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë sot se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti nuk dëshiron fare të bisedojë me Beogradin.
Duke iu përgjigjur pyetjes për takimin e ardhshëm në kuadër të dialogut, Vuçiq përmendi deklaratën e zëdhënësit të BE-së, Peter Stano, ku thotë se palët nuk kanë interes dhe besim të mjaftueshëm në dialogl, duke theksuar se qytetarëve duhet t’u thuhet se “Serbia dëshiron dialog”, por tha se “është fare e qartë se Prishtina nuk e dëshiron atë”, transmeton Express.
“Ne jemi të gatshëm ta nënshkruajmë marrëveshjen për personat e zhdukur. Ne duam rezultate, por zyrtarisht mund të them se Prishtina nuk dëshiron të flasë fare me ne”, tha Vuçiq.
Kryeministri Albin Kurti tha të dielën se “Është diskutuar mundësia e një takimi të mundshëm në javën e dytë të dhjetorit në Bruksel me presidentin e Serbisë”.
I pyetur nëse Serbia po e kushtëzon dialogun, Kurti deklaroi se nuk ka informacione për këtë. Sipas tij, mbajtja e takimit varet nga ndërmjetësit e Bashkimit Evropian, shefit të diplomacisë së BE-së, Josep Borrell dhe emisarit të tij, Miroslav Lajçak.
“Nuk kam kurrfarë informacione që ka kushtëzime nga ndokush, veçse vlerësimi se a duhet të mbahet një takim i tillë ose jo, i përket ndëmjetësuesit apo lehtësuesit – siç e quajnë ata veten – përkatësisht Z. Joseph Borrell dhe emisarit të tij, Miroslav Lajçak. Janë ata të cilët e vlerësojnë nëse do të na i dërgojnë ftesat ose jo, e jo çfarëdo kushtëzimi i palës tjetër”, është shprehur Kurti.
Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano tha dje se në këtë moment nuk ka gatishmëri as të Prishtinës e as Beogradit që të angazhohen në mënyrë konstruktive në dialog. Ai paralajmëroi se parakusht për aranzhimin e takimit të radhës duhet të jetë gatishmëria e palëve që të merren vesh rreth rezultateve konkrete, në të mirë të qytetarëve të tyre.
“E kemi bërë shumë të qartë, pas dy takimeve këtë vit, që parakusht për takimin e radhës duhet të jetë gatishmëria e të dyja palëve që të dakordohen rreth rezultateve konkrete për të mirën e qytetarëve të tyre. Kontaktet e fundit të Përfaqësuesit të Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri (Josep Borrell) dhe diplomacia e Përfaqësuesit të BE-së për dialog, Mirosllav Lajçak treguan që aktualisht nuk ka gatishmëri”, tha Stano. / Gazeta Enigma.