Një ndër propozimet e kryeministrit Albin Kurti sot në takimin me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq ishte largimi i Velko Odaloviqit nga Komisioni për Persona të Pagjetur në Qeverinë e Serbisë.
Kurti sot në Bruksel tha se “për çështjen e të pagjeturve, të të zhdukurve me dhunë, duhet larguar nga pozita që ka dhe duhet marrë në pyetje kreun e delegacionit serb, z. Veljko Odaloviq, i cili në vitet 1997-1999, ishte ‘naçelnik i qarkut të Kosovës’, dhe udhëhiqte me Kosovën e okupuar bashkë me z. Zoran Angjelkoviq”.
Ky propozim sipas Kurtit u refuzua, siç duket është i pranueshëm për vetë Odaloviqin, pasi ky i fundit tha se është i gatshëm të largohet nga ky komision.
“Unë nuk e kam problem. Nëse jam pengesë, nuk jam dikush që nuk mund të largohet. Nëse unë jam problem që të paktën një trup të gjendet, nëse unë jam kusht, jam i gatshëm të tërhiqem”, ka thënë Odaloviq për Kosovo Online.
Sot Kurti në Bruksel tregoi se ka shpalosur edhe 3 propozime të tjera përveç propozimit që u përmend më lartë:
1. Gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor e avancojnë CEFTA-n në SEFTA (South-East European Free Trade Agreement) sipas modelit të EFTA-EEA, pra marrëveshje çfarë Lihtenshtajni, Norvegjia dhe Islanda kanë me BE-në.
2. Kosova dhe Serbia menjëherë nënshkruajnë një marrëveshje të përbashkët të paqes duke u zotuar se nuk do ta sulmojnë njëra-tjetrën. Kjo është e rëndësishme tani si asnjëherë më parë, një ditë pas Samitit të NATO-s në Bruksel dhe porosive unanime që u dhanë aty.
3. Pas njohjes së ndërsjellë midis Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, në të dy vendet tona do të kemi reciprocitet bilateral, përfshirë çështjen e pakicave këtu. Pra, serbët në Kosovë mund të kenë Këshillin e tyre Nacional siç e kanë shqiptarët dhe boshnjakët në Serbi.