BE-ja e SHBA-ja synojnë të forcojnë angazhimin në dialogun Kosovë – Serbi

BE-ja e SHBA-ja synojnë të forcojnë angazhimin në dialogun Kosovë – Serbi

Bashkimi Evropian dhe SHBA-ja synojnë të forcojnë më tepër angazhimin në Ballkanin Perëndimor, përfshirë edhe nëpërmjet dialogut Kosovë – Serbi të ndihmuar nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.

Kështu thuhet në deklaratën e përbashkët mes BE-së e SHBA-së të lëshuar pas takimit të krerëve të BE-së në Bruksel me presidentin e SHBA-së, Joe Biden.

“Ne synojmë të forcojmë angazhimin tonë të përbashkët në Ballkanin Perëndimor, përfshirë edhe nëpërmjet dialogut të ndihmuar nga BE-ja mes Beogradit dhe Prishtinës për normalizimin e marrëdhënieve të tyre, dhe duke përkrahur reformat kyçe për integrimin evropian”, thuhet ndër tjera në deklaratë.

Përfaqësuesi i  Lartë i BE-së për Politika të Jashtme, Josep Borrell ka treguar se një pjesë e madhe e takimit me presidentin Biden ka qenë e përqendruar në çështjet e sigurisë.

BE-ja e SHBA-ja ndër tjera kanë thënë se janë takuar për të rinovuar partneritetin Transatlantik dhe të caktojnë një Agjendë të Përbashkët Transatlantike për periudhën pasCOVID.

Së bashku kanë thënë se synojnë t’i japin fund pandemisë, të përgatiten për sfidat e ardhshme shëndetësore globale dhe të shtyjnë një rimëkëmbje të qëndrueshme. Po ashtu të mbrohet planeti dhe të rritet gjelbërimi, të forcohet tregtia, investimet dhe bashkëpunimet teknologjike, e të ndërtohet një botë demokratike, paqësore dhe e sigurt.

Related Articles