Vuçiqi takon shefin e OSBE-së: Theksova pasojat e shkeljes së marrëveshjeve nga Kosova dhe bashkësia ndërkombëtare

Vuçiqi takon shefin e OSBE-së: Theksova pasojat e shkeljes së marrëveshjeve nga Kosova dhe bashkësia ndërkombëtare

Presidenti i Serbisë, Alleksandar Vuçiq, ka pritur në një takim kryetarin e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), njëherësh Ministrin e Punëve të Jashtme të Maltës, Ian Borg.

Për takimin, Vuçiqi njoftoi përmes rrjetit social Instagram, ku tha të ketë folur edhe për çështjen e marrëveshjeve mes Kosovës dhe Serbisë.

Në veçanti, ai tha ta ketë theksuar në takim edhe “neglizhencën dhe shkeljen e vazhdueshme të marrëveshjeve të arritura për dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës” por edhe për, siç tha ai, “pasojat” e këtyre veprimeve.

“Theksova rëndësinë e rolit të OSBE-së në ruajtjen e sigurisë dhe stabilitetit në Evropë dhe respektimin e së drejtës ndërkombëtare publike. Edhe me këtë rast paralajmërova për neglizhencën dhe shkeljen e vazhdueshme të marrëveshjeve të arritura në dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës dhe theksova pasojat e rënda të një sjelljeje të tillë nga ana e Prishtinës dhe e bashkësisë ndërkombëtare”, ka thënë Vuçiqi në “buducnostsrbijeav” në Instagram.

Presidenti i Serbisë pretendon të ketë thënë në takim se “Serbia vepron me përgjegjësi për të gjitha çështjet, duke mbrojtur popullin dhe interesat e saj”.

“E ritheksova se Serbia edhe në këto rrethana sfiduese vepron në mënyrë konsistente dhe të përgjegjshme si në kuadrin e politikës së jashtme ashtu edhe brenda saj, duke respektuar kornizat legjislative, duke nxitur dialogun konstruktiv dhe duke mbrojtur popullin e saj, interesat kombëtare dhe shtetërore”, ka shkruar Vuçiqi.

Kryetari i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), njëherësh Ministër i Punëve të Jashtme të Maltës, Ian Borg, gjatë ditës së nesërme do të qëndrojë edhe në Kosovë, ku është paralajmëruar një takim me kreun e shtetit, Vjosa Osmani.

Related Articles