Gjykata Themelore në Prishtinë gjatë shqyrtimit të ri gjyqësor përsëri ka shpallur, Zoran Vukotiqin, përgjegjës për kryerjen e krimit të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, dhe e dënoi me 10 vjet burgim.
Në lidhje me këtë, Feride Rushiti nga Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT), ka thënë se s’janë të kënaqur me këtë dënim.
Rushiti shtoi se do t’i drejtohen përsëri Gjykatës së Apelit, në mënyrë që t’i rritet dënimi Vukotiqit.
“Rasti i parë nga institucionet e Kosovës, i vetëm është rasti i Zoran Vukotiqin, ky rast në veti paraqet fuqizim për të mbijetuarit e dhunës seksuale dhe për tërë familjarët e tyre, dhe iu kthen shpresën dhe besimin, të gjithë atyre që kanë përjetuar këtë krim, sado e vonuar drejtësia një ditë do të vihet në pah, dhe ata të cilët e kanë kryer këtë krim gjatë luftës, mund të vendosen prapa grilave siç e kemi rastin e Vukotiq”, ka theksuar Rushiti.
“Në fakt as ne nuk jemi të kënaqur dhe as dëshmitarët që e kanë mbijetuar këtë krim, për faktin që në rrethanat se si është ushtruar brutaliteti i dhunimit; humbjet shpirtërore, emocionale, fizike dhe mbi të gjitha humbjet e dy fëmijëve, gjatë periudhës sa ka qenë shtatëzanë, mendojmë që është vendim shumë i ulët”.
“Prandaj do t’i drejtohemi prapë Gjykatës së apelit, me shpresë që kësaj radhe, Gjykata e Apelit do të merr gjitha rrethanat parasysh, që ky dënim të rritet më lartë”.