Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuqiq, është takuar sot me Ministrin e Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Heiko Maas.
Vuqiq në konferencën për shtyp ka ripërsëritur se në dialogun Kosovë-Serbi është i interesuar që të gjendet një zgjidhje kompromisi ngase sipas tij është e rëndësishme që të ruhet paqja ndërmjet popullit serb dhe atij shqiptar.
Vuqiq para diplomatit gjerman ka deklaruar se Serbia nuk është e interesuar për territoret e vendeve fqinje por ka ritheksuar se ata nuk e njohin Kosovën si shtet të pavarur.
Ai ka kërkuar që të themelohet Asociacioni i Komunave Serbe me kompetenca ekzekutive gjë të cilën Qeveria e Kosovës nuk e pranon.
“Serbia në rajon do të ketë një rol konstruktiv dhe do të ruajmë paqen, nuk jemi të interesuar për territorin e dikujt tjetër por jemi të interesuar për bashkëpunim tregtar, kulturë dhe sport. Për ne është e rëndësishme që Serbia të jetë e fortë ekonomikisht. Serbia është e gatshme për vazhdimin e dialogut dhe do të sjellet në frymën konstruktive. Serbia dëshiron që të vijmë deri tek një zgjidhje kompromisi, konsiderojmë se konflikti i ngrirë nuk është zgjidhje e mirë për dy popujt” ka thënë Vuqiq.
Kurse Ministri i Jashtëm gjerman, Heiko Maas, nga Beogradi ka bërë thirrje për vazhdim të dialogut mes Serbisë dhe Kosovës.
“Tash është momenti i duhur për rinisje të dialogut. Të dy shtetet kanë mbajtur zgjedhje të përgjithshme dhe kanë formuar qeveri me shumicë stabile” ka thënë ai