Trajneri i Barcelonës, Xavi në konferencën e tij për shtyp në prag të sfidës në Europa League ndaj Napolit është shprehur se “Do të jetë një ndeshje për Champions League”, dhe se italianët kanë avantazhin e ndeshjes se dytë në shtëpi.
“Ne nuk jemi favoritë. Napoli po lufton për Scudetton në kampionat dhe ka ndeshjen e kthimit në shtëpi. Ata janë një rival shumë i komplikuar, një nga më të fortët në kompeticion”, ka thënë trajneri i katalunasëve.
Synimi kryesor i Barcelonës sipas ish- përfaqësuesit spanjoll është paraqitja në Champions League sezonin e ardhshëm, përmes vendit të katërt në La Liga ose duke triumfuar në Europa League.
“Për ne është një mundësi. Ne kemi një synim, që është të hyjmë në Champions League vitin e ardhshëm. Ose duke u futur në top katërshe ose duke kaluar nga Europa League. Ne na duhen njerëzit, pres një atmosferë të madhe. Nuk patëm fat në short, përballemi me Napolin, një tjetër skuadër për Champions League. Qëllimi është të shkojmë sa më larg”, u shpreh tekniku spanjoll.
Barcelona dhe Napoli ndeshjen e parë në kuadër të Europa League do ta zhvillojnë të enjten në “Camp Nou”, derisa ndeshja e kthimit do të luhet më 24 shkurt në stadiumin “Diego Armando Maradona” të Napolit. /GazetaEnigma/