Reprezentacioni i Zvicrës, pjesë e të cilës janë edhe tre futbollistët shqiptarë, e kanë nisur me fitore rrugëtimin në Kupën e Botës “Katar 2022” në ndeshjen kundër Kamerunit.
“Helvetikët” triumfuan 1:0 ndaj kombëtares afrikane në “Al Janoub Stadium”.
Ishte sulmuesi Embolo që vendosi fitoren e Zvicrës me golin e minutës së 48-të, gol në të cilin kishte “gisht” edhe futbollisti nga Zhegra e Gjilanit, Xherdan Shaqiri që asistoi.
Pjesë e 11-shes startuese te Zvicra ishte edhe kapiteni Granit Xhaka.
Shaqiri u zëvendësua në minutën e 72-të, ndërkaq Xhaka luajti për 90 minuta.
Zvicra dhe Kameruni janë pjesë e Grupit G së bashku me Brazilin dhe fqinjin verior të Kosovës, Serbinë.