Xhaka e Shaqiri në garë për çmimet e futbollistëve më të mirë të Zvicrës 2025

Xhaka e Shaqiri në garë për çmimet e futbollistëve më të mirë të Zvicrës 2025

Në Bernë, më 12 janar të vitit të ardhshëm, do të shpallen futbollistët më të mirë të Zvicrës për vitin 2025.

Granit Xhaka dhe Xherdan Shaqiri janë mes kandidatëve kryesorë në kategoritë përkatëse, ndërsa për çmime në konkurrencë janë gjithashtu Shkëlqim Demhasaj dhe Valon Fazliu.

Xhaka është nominuar për çmimin e futbollistit më të mirë të Zvicrës, ku konkuron me Manuel Akanji dhe Dan Ndoye. Kapiteni i Përfaqësueses së Zvicrës dhe Sunderlandit ka fituar këtë çmim tri herë më parë, përfshirë vitin e kaluar pas sukseseve me Bayer Leverkusenin, ku fitoi Bundesligën dhe Kupën e Gjermanisë.

Në kategorinë e futbollisteve, në garë janë Geraldine Reuteler, Sydney Schertenleib dhe Lia Walti.

Xherdan Shaqiri konsiderohet kandidati kryesor për futbollistin më të mirë të Superligës së Zvicrës, pas një sezoni të suksesshëm me Baselin, ku fitoi titullin dhe Kupën e Zvicrës dhe kontribuoi me shumë gola dhe asistime. Konkurrentët e tij janë Matteo Di Giusto dhe Miroslav Stevanoviq.

Përveç këtyre, do të ndahet edhe çmimi për futbollistin më të mirë të ri, futbollisten më të mirë të re, futbollistin më të mirë të kategorisë së dytë dhe futbollisten më të mirë të Superligës. Në kategorinë e futbollistëve të kategorisë së dytë garojnë Shkëlqim Demhasaj dhe Valon Fazliu.

Ceremonia organizohet nga Federata e Futbollit e Zvicrës dhe Liga e Futbollit të Zvicrës, ndërsa të nominuarit janë përzgjedhur nga një panel ekspertësh që përfshin trajnerët e klubeve, drejtorët sportivë, kapitenët dhe përzgjedhësit e përfaqësueseve të Zvicrës.

Rezultati final do të përcaktohet nga një kombinim i votave të jurisë së ekspertëve, përfaqësuesve të mediave dhe tifozëve.

Related Articles