Granit Xhaka është shndërruar në një lider për Bayer Leverkusen me mesfushorin me origjinë shqiptare që rezultoi një element kyç për skuadrën e drejtuar nga Xabi Alonso në fitimin e titullit kampion në Bundesliga, por edhe për arritjet e tjera me gjermanët që janë pranë finales së Europa League si dhe janë në finalen e Kupës së Gjermanisë.
Por, historia mund të ishte ndryshe për 31-vjeçarin pasi në të kaluarën ishte shumë pranë transferimit te Roma, me trajnerin atëhershëm të verdhekuqve, Jose Mourinho që ishte një “fans” i madh i mesfushorit. Vetë Xhaka e pranon se ishte shumë pranë Romës, por shprehet se për mënyrën si shkoi tashmë është shumë i lumtur në Gjermani me Leverkusen.
“Kam qenë shumë pranë Romës, nuk kam arsye ta fsheh. Por, tratativa nuk u finalizua për disa detaje të vogla. Ndonjëherë gjërat thjesht nuk ndodhin, tani unë jam shumë i lumtur te Leverkusen.
Kam luajtur para disa vitesh në Bundesligë më pas kalova në Premier League, por mua nuk më pëlqen t’i krahasoj të dyja kampionatet. Mendoj vetëm për të tashmen që është Leverkusen dhe për këtë ndjehem shumë i lumtur”, u shpreh Xhaka.