Xhaka po e shijon lirinë që po i jepet në sulm

Xhaka po e shijon lirinë që po i jepet në sulm

Pasi ka kontribuuar me gol dhe asistim në fitoren 4:2 të Arsenalit ndaj Leicester Cityt, të shtunën, Granit Xhaka ka zbuluar se po e shijon lojën në rolin më sulmues. Xhaka po luan më i avancuar në fushë, pas ndryshimeve që Mikel Arteta ka bërë në formacionin e Arsenalit.

Pos që ka kryer detyrat e tij në mesfushë, Xhaka shpesh është gjendur në pozitë sulmuese, duke shkaktuar probleme të tjera për kundërshtarin.

Reprezentuesi i Zvicrës ishte në vendin e duhur në një moment vendimtar për të shënuar golin e tretë të Arsenalit.

“Kam marrë më shumë liri për të lëvizur lart e poshtë”, ka shpjeguar Xhaka, shkruan sajti zyrtar i Arsenalit. “Unë e di çka mund të bëj. Kam shumë liri nga trajneri, nga bashkëlojtarët. Për momentin jam i lumtur se si po shkojnë të gjitha gjërat. Le të vazhdojmë të punojmë kështu, me shpresë që në fund të kampionatit të jemi më shumë se të lumtur. Është gjithnjë mirë kur realizon gol dhe është gjithmonë mirë kur mund ta ndihmosh ekipin. Jo vetëm unë, por të gjithë lojtarët bënë punë të madhe. Natyrisht se jam shumë i lumtur që mund të ndihmojë”, ka theksuar Xhaka.

Paraqitja e Xhakës mbeti në hije të paraqitjes që kishte Gabriel Jesus. Ai realizoi dy gola, të parin me asistim të Xhakës, ndërsa i kishte edhe dy asistime.

Për Jesusin ishte debutim në Premier League në “Emirates”.

“Paraqitja e tij ishte e jashtëzakonshme. Dy gola dhe dy asistime, puna që bën për ekipin është e pabesueshme. Ne jemi më shumë se të lumtur. Ai po shënon dhe po na ndihmon çdo ditë. Jam shumë i lumtur për të, pasi mendoj se është shumë e rëndësishme të shënosh në shtëpi”, ka theksuar Xhaka.

Arsenali ka fituar dy ndeshjet e para në shtëpi, ndërsa Xhaka shpreson që skuadra të vazhdojë me formë të njëjtë.

Për ndikimin e Xhakës ka folur edhe trajneri Arteta.

“Ai është aty për të luajtur rolin që duam. Granit ka karakteristika të caktuara, por mund të zhvillojmë edhe të tjera pasi ai ka aftësinë për të bërë këtë. Kur Fabio Vieira të luaj në atë pozitë, Xhaka do të ketë një rol tjetër. Cilësitë e tij janë të ndryshme. Ekipi duhet të përshtatet. Lojtarët duhet të luajnë me një sy te goli dhe me ndjenjën që duan të shënojnë gol”, ka theksuar Arteta.

Related Articles