Gazetarët e medias zvicerane “20minuten”, Fabian Ruch dhe Sven Forster, kanë shpallur ekipin dhe lojtarin më të mirë të sezonit në futbollin zviceran. Sipas tyre, ekipi më i mirë në këtë mesëzon është Lugano, ndërsa titulli i lojtarit më të mirë iu dha Xherdan Shaqirit.
Media zvicerane shkruan se Shaqiri ka pasur një performancë të shkëlqyer, duke u rikthyer fort pas disa vështirësive fillestare. “Me pesë gola dhe tetë asiste në 14 ndeshje, Shaqiri është golashënuesi më i mirë i ligës. Ndikimi i tij në FCB është shumë i madh,” tha Sven Forster. Ndërsa Fabian Ruch theksoi: “Shaqiri pati një start të vështirë, por ai u tregua i madh në vijim. Sanches është fantastik, por Shaqiri është lojtari ynë më i mirë.”
Përveç titullit si lojtari më i mirë, Shaqiri u vlerësua edhe si transferimi më i mirë i këtij sezoni. “Shaqiri thjesht duhet të jetë transferi më i mirë,” tha Ruch, ndërsa Forster shtoi: “Kam edhe Benie Traoré nga Basel dhe Donat Rudhani nga Lucerne, por Shaqiri është në krye, për mua.”
Pavarësisht se ishte i nominuar për mesfushorin më të mirë, Shaqiri mori titullin e lojtarit më të mirë, ndërsa Alvyn Sanchez u shpall mesfushori më i mirë.
Xherdan Shaqiri u rikthye në Zvicër nga Chicago Fire, duke vazhduar karrierën në vendin ku e nisi. Ish-lojtari i Bayern Munichut, Interit dhe Liverpoolit, është konsideruar një nga futbollistët më të rëndësishëm në historinë e ekipit kombëtar zviceran gjatë dekadës së fundit.