YIHR KS mbulon grafitet “UÇK” e “Faton Hajrizi” në shtëpinë e një familjeje serbe në Vushtrri

YIHR KS mbulon grafitet “UÇK” e “Faton Hajrizi” në shtëpinë e një familjeje serbe në Vushtrri

Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut – Kosovë (YIHR KS) tha të mërkurën se aktivistët e saj i mbuluan me ngjyrë grafitet me mesazhe “urrejtëse” në muret e shtëpisë së një familjeje serbe të Kosovës në një fshat afër qytetit verilindor të Kosovës, Vushtrri.

YIHR KS tha në Facebook se mori pëlqimin e Policisë së Kosovës dhe familjes Gjurkoviq në fshatin Gojbulë të Vushtrrisë – rreth 30 kilometra larg kryeqytetit Prishtinë – për t’i mbuluar mesazhet “urrejtëse që synojnë frikësimin e kësaj familje serbe në Kosovës”.

“YIHR KS beson fuqishëm se të gjithë kanë të drejtë për siguri dhe mirëqenie në Kosovë, pavarësisht nga etnia e tyre – një akt i tillë nuk është vetëm vandalizëm; është një akt i qëllimshëm urrejtjeje”, tha kjo Nismë në një reagim në Facebook.

Policia e Kosovës tha më 28 korrik për portalin Kossev në Mitrovicë të Veriut se ka hapur një hetim për vandalizëm në lidhje me grafitet në muret e shtëpisë së familjes Gjurkoviq.

Zyra për Kosovën në Qeverinë serbe tha më 28 korrik se grafitet u shkruan nga “ekstremistët shqiptarët”, pa dhënë ndonjë dëshmi.

“Është e qartë se ky nuk është rast i izoluar, por fushatë e sinkronizuar nga ekstremistët shqiptarë për t’i përjashtuar serbët nga vatrat e tyre me kërcënime kaq të hapura dhe nën urdhrin e Albin Kurtit [kryeministrit të Kosovës]”, tha ajo në uebsajtin e saj.

Grafitet përmbanin akronimin e ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) dhe emrin e Faton Hajrizit, i cili u vra nga autoritetet serbe më 19 korrik në qytetin Lloznicë të Serbisë, pasi dyshohet se kishte vrarë një polic serb. Hajrizi ishte arratisur nga një burg në Kosovë.

Ndërkohë, në korrik të vitit të kaluar, një serbi të kthyer në në fshatin e tij të lindjes, Veriq, në Istog, iu dogj shtëpia e porsandërtuar, nga persona të panjohur.

Gjatë luftës në Kosovë, forcat serbe dëbuan rreth 800.000 shqiptarë të Kosovës, shumica e të cilëve u kthyen pas përfundimit të konfliktit.

Mirëpo, atëherë filloi emigrimi i serbëve dhe procesi i kthimit është ende në vazhdim.

Nga rreth 250.000 serbë të zhvendosur, afërsisht 30.000 janë kthyer në 20 vjetët e fundit, sipas të dhënave nga Ministria për Komunitete dhe Kthim e Qeverisë së Kosovës.

Related Articles