Vajzat dhe gratë po vazhdojnë të jenë viktimat më të shpeshta të dhunës në familje, ngacmimeve e sulmeve seksuale. Në shumë raste, viktima janë vajzat e mitura, të cilat keqpërdoren seksualisht nga persona të rritur, e shumë herë edhe të moshuar. Për një rast të tmerrshëm që dyshohet të ketë ndodhur në Fushë Kosovë, Prokuroria ka nisur hetimet.
Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se i dyshuari është Q.Azemi, 32-vjeçar, i cili punon si taksist ilegal.
E gjithë ngjarja dyshohet të ketë ndodhur në orët e pasdites, kur viktima, e moshës 22-vjeçare, e cila kishte qenë pasagjere në veturën e të dyshuarit, është përballur me veprimet e shëmtuara të Azemit.
Bazuar në dëshminë e viktimës dhënë organeve të hetuesisë, shoferi e ka ngacmuar seksualisht, duke i kërkuar që të takohen e më pas edhe e ka prekur, derisa ajo ka kërkuar me ngulm që ai ta ndal veturën dhe ta lë që të largohet.
Pasi ka arritur që të ikë, viktima ka kërkuar ndihmë në Polici dhe si rezultat i denoncimit, i dyshuari është shoqëruar në stacion policor, ku është intervistuar lidhur me rastin.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit nuk ka nxjerrë aktvendim që të dyshuarit t’i caktohet masa e ndalimit policor, por vetëm ka urdhëruar inicimin e rastit nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Ngacmim seksual’.
Rastin e kanë konfirmuar edhe nga Policia Rajonale në Prishtinë.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajëisa e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.