Policia e Bolonjës në Itali arrestoi 4 shqiptarë dhe 7 shtetas italianë, të akuzuar se kishin ngritur një rrjet të shfrytëzimit të prostitucionit.
Pesë vajzave nga Shqipëria u ishte premtuar nga tutorët se do të ishin të lira, sapo të fitonin shumën e duhur për të blerë një apartament.
Një rrjet i strukturuar kriminal shqiptaro-italian është shkatërruar në Bolonja, ku policia lokale ka arrestuar 11 persona, të cilët shfrytëzuan për prostitucion 5 vajza shqiptare. Në këtë rast tutorët vepronin me një skemë të mirë llogaritur. Pesë vajzat, nga 20 deri në 30-vjeçe ishin në dijeni për çka do të bënin në Itali, por u ishte premtuar se do të ushtronin prostitucion për aq kohë sa të grumbullonin shumën e duhur për të blerë një apartament në Shqipëri. Sapo kjo shumë grumbullohej, gjithçka fillonte nga e para.
“Ishte e vështirë për to që të çliroheshin prej tyre. Ata i rrihnin vajzat, duke i detyruar të vazhdonin prostitucionin për llogari të tyre e madje në disa raste iu merrnin pasaportat. Kështu ato nuk ishin të lira për të lëvizur”.
Në total, gjatë operacionit që ka zgjatur një vit janë arrestuar 4 shqiptarë dhe 7 shtetas italianë. Dy prej shqiptarëve të moshave 44 dhe 49-vjeç, ishin arrestuar më parë në një rrjet tjetër prostitucioni në Torino e më pas kishin ndërruar emrat dhe mbiemrat në Shqipëri. Zyrtarët e policisë lokale të Bolonjës thanë se edhe italianët kishin rol të rëndësishëm në këtë grup kriminal.
“Përmes martesave të stimuluara dhe kontratave të apartamenteve ata favorizonin prostitucionin. Duke kryer një martesë false ata u siguronin vajzave edhe lejë qëndrimin në Itali. Rolin kryesor e kishin shqiptarët, por edhe roli i italianëve ishte i rëndësishëm në këtë rrjet prostitucioni”.
Mediat në Shqipëri shkruajnë se njëra nga vajzat kishte arritur të vinte në Shqipëri, për të filluar një jetë të re, por u gjet dhe u kërcënua nga tutorët, ndërsa njëri nga këta të fundit u arrestua në avion, kur po nisej për në Tiranë. /Gazeta “Enigma“/