Bashkimi Evropian i ka quajtur spekulime të mediave raportimet e djeshme se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, në takimin e 18 gushtit në Bruksel, do të nënshkruajnë një deklaratë të përbashkët.
Sipas gazetës serbe “Nova”, në këtë takim dy palët do të nënshkruajnë një deklaratë e përbashkët për zgjidhjen e çështjes së personave të zhdukur gjatë luftës në Kosovë. Sipas ‘Nova’-s teksti i deklaratës është harmonizuar dhe është duke u pritur momenti që ai të nënshkruhet.
Lidhur me këtë, Gazeta Enigma, përmes një email-i ka kontaktuar me zëdhënësn e BE-së për Politikë të Jashtme dhe të Sigurisë, Peter Stano, i cili fillimisht tha se nuk komentojnë spekulimet në media.
“Si rregull i përgjithshëm ne nuk i komentojmë spekulimet në media dhe nuk paraprijmë takimet që organizojmë me spekulime për një rezultat të mundshëm”, tha Stano.
Stano për Enigmën deklaroi se më 18 gusht do të publikohen detaje më të hollësishme se kur do të zhvillohet ky takim i nivelit të lartë.
“Lidhur me takimin e nivelit të lartë të dialogut mes presidentit Vuçiq dhe kryeministrit Kurti në Bruksel më 18 gusht, do të publikojmë më shumë detaje rreth tij, përfshirë agjendën, më afër datës se kur do të zhvillohet”, u shpreh Stano.
Kryeministri Kurti dhe presidenti Vuçiq, do të takohen në Bruksel, pas rritjes së tensioneve në veri të Kosovës si rezultat i vendosjes së masave të reciprocitetit nga ekzekutivi kosovar.
Herën e fundit ata janë takuar më 5 maj në një darkë joformale, me ndërmjetësimin e të dërguarit të posaçëm të BE-së për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak të cilët paraprakisht ishin takuar ndaras me kancelarin gjerman, Olaf Scholz. /GazetaEnigma/