Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, u ka bërë thirrje ukrainasve që të vazhdojnë të luftojnë pushtimin rus.
Në një fjalim të tij nga Kievi të shtunën mbrëma, Zelensky ka thënë se është koha që qytetarët të dalin dhe të luftojnë.
“Duhet të dilni dhe të largoni djallin nga qytetet tona”, ka thënë Zelensky.
Zelensky po ashtu ka vazhduar t’i bëjë thirrje SHBA-së dhe shteteve tjera të Perëndimit që të ofrojnë më tepër aeroplanë luftarakë për Ukrainën.
Raportohet se zyrtarët amerikanë janë në bisedime me liderët në Poloni në mënyrë që Varshava ta furnizojë Ukrainën me një numër të aeroplanëve MiG.
Polonia gradualisht është duke i larguar nga përdorimi aeroplanët e vjetër të kohës sovjetike. Në këmbim pritet që SHBA-ja ta furnizojë Poloninë me aeroplanë luftarakë.
Pushtimi rus i Ukrainës është futur në ditën e 11-të. Disa ekspertë thonë se ofensiva ruse ka stagnuar, por presidenti i Rusisë, Vladimir Putin ka insistuar të shtunën duke thënë se po shkon sipas planit. / Gazeta Enigma.