Zëvendësministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu ka deklaruar se ka dyshime të bazuara se ka pasur keqpërdorime financiare të cilat lidhen me Shërbimin Korrektues të Kosovës apo siç njihet edhe si drejtoria e burgjeve.
Ai ka deklaruar se shkarkimi i drejtorit të burgjeve, Nehat Thaçi është i domosdoshëm, çështjen e pronës e cila i është dhënë në shfrytëzim një personit privat në mënyrë të kundërligjshme ku nënshkrues janë drejtori Thaçi si dhe ish ministri Selim Selimi do e dërgojnë në prokurori “Çështja e tretë ka të bëjë me ekzekutimin e kontratës me kompaninë “Aztec” për riparimin e gjeneratorëve në burgun e sigurisë së lartë ku nga shërbimi korrektues 1 litër vaj është blerë 15 euro ndërsa sipas çmimit të tregut ai kushton përgjysmë më lirë. Ftojmë prokurorin e shtetit për të hetuar dhe zbardhur veprat e dyshimta penale të shtjellura në raportin e auditimit duke marr në përgjegjësi personat përgjegjës” ka thënë ai.
Ndërkaq Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu në konferencën për shtyp ka deklaruar se javën e ardhshme do të formohet grupi punës për hartimin e projektligjit për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme e cila ka për qëllim luftimin dhe dekurajimin e kriminalitetit.
Sipas saj është paraparë themelimi i një agjencinë i cili do të merret me ekspertizën dhe konfiskimin e pasurisë.
“Kemi zyrtar të lart që për një kohë të shkurtë janë bërë milionerë dhe ata nuk kanë besuar që ndonjëherë do të japin llogari për pasurinë të cilin e kanë fituar në mënyrë të pajustifikueshme . Këta persona e kanë lënë të pazhvilluar vendin sepse ku ka krim e korrupsion mbeten edhe qytetarët pa vende pune. Në këtë drejtim ky koncept dokument ka qenë shumë i rëndësishëm dhe mirëpres secilën kritikë që i bëhet këtij koncept dokumenti sepse konsideroj se i ndihmon grupit punues që do të themelohet në javën e ardhshme për hartimin e projektligjit për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme” ka thënë ajo.
Haxhiu ka deklaruar se në kuadër të transparencës ata do të publikojnë edhe shpenzimet për secilin të akuzuarit në Hagë.
“Ata persona marrin buxhet në përputhje me legjislacionin në fuqi. Nuk ka se pse ta fshehim se sa buxhet është ndarë për cilin person. Edhe në koordinim me kryeministrin Kurti ne e kemi shfuqizuar atë vendim dhe na duhen edhe disa ndryshime në udhëzimin administrativ dhe pas shtatë ditësh pas publikimit në gazetën zyrtare kushdo që dëshiron qasje në to mund t’i ketë”, ka thënë Haxhiu.