Në atë që besohet të jetë fjalimi i fundit para deputetëve, kancelarja gjermane, Angela Merkel, iu bëri një thirrje votuesve gjermanë, për të mbështetur një qeveri konservatore të udhëhequr nga Armin Lashet në zgjedhjet e 26 shtatorit.
Pasi humbën kryesimin në sondazhe, ndaj social demokratëve të qendrës së majtë, SPD, blloku konservator CDU/CSU po mbështetet gjithnjë më shumë në paralajmërimet kundër një alternative të majtë, në përpjekjen për të rigjallëuar fushatën.
Në lojë është e ardhmja e Gjermanisë, ekonomisë më të madhe të Europës dhe shtetit më të populluar, pas lidershipit të qëndrueshëm 16-vjeçar të Angela Merkel. Kancelarja ka në plan të terhiqet menjëherë pas zgjedhjeve.
“Brenda pak ditësh qytetarët duhet të zgjedhin mes një qeverie që pranon mbështetjen e partisë së të majtës esktreme LIinke, me SPD dhe Të Gjelbrit, apo një qeveri federale të udhëhequr nga CDU dhe CSU me Armin Lashet si kancelar. Një qeveri që e çon vendin drejt të ardhmes, në mënyrë të moderuar.”, tha Merkel.
Partia Linke e së majtës ekstreme, tha të hënën se mund të jetë partnere koalicioni me SPD-në dhe Të Gjelbrit. Kandidati i Social Demokratëve për kancelar Olaf Scholz, e ka distancuar në mënyrë të vazhdueshme veten nga Linke, duke cilësuar atë si të papërshtatëshme për qeverisje, për sa kohë sa nuk angazhohet ndaj aleancës së NATO-s dhe partneritetit trans-atlantik me SHBA.
Duke folur pas Merkel në Bundestag, kandidati i SPD-së në krye të sondazheve, Scholz tha se nevojitej një fillim I ri.
“Shpresoj dhe jam i sigurtë se do t’ia dalim”, ishte deklarata e tij.