Presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviq, ka njoftuar se zgjedhjet e parakohshme parlamentare në vend do të mbahen më 11 qershor.
“Duke zbatuar nenin 92, paragrafin 5, mora vendimin për shpalljen e zgjedhjeve për 11 qershor”, tha Gjukanoviqi në një konferencë për media, raporton transmetuesi publik i Malit të Zi.
Presidenti malazez tha se i është përmbajtur me vendosmëri Kushtetutës.
“Thirrjes për konsultime nuk iu përgjigjën liderët që pretendonin se kishin shumicën e nevojshme. Prandaj edhe sot, sikur edhe atëherë, jam i bindur se zgjidhja më e mirë është shkurtimi i mandatit dhe shpallja e zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare”, tha Gjukanoviq.
Ai shtoi se si president ka kërkuar mendim edhe nga Komisioni i Venecias.
“Dihet se përfundoi përpjekja e Miodrag Lekiqit për të formuar qeverinë, e cila vërtetoi se nuk ka pasur shumicë dhe nuk e ka as sot”, tha presidenti malazez.
Vendimi vjen një ditë pasi Gjukanoviqi nxori dekretin për shpërndarjen e përbërjes së deritashme të Kuvendit.
Këtë vendim ai e mori pasi shumica parlamentare nuk arriti të formonte Qeverinë e re, apo të riorganizonte Qeverinë ekzistuese, së cilës iu votua mocioni i mosbesimit, gushtin e kaluar.
Kjo, sipas REL-it, ndodhi pak kohë pasi Qeveria e Dritan Abazoviqit nënshkroi Marrëveshjen Bazë me Kishën Ortodokse Serbe.
Të dyja vendimet e Gjukanoviqit vijnë në prag të zgjedhjeve presidenciale në Mal të Zi, të cilat do të mbahen më 19 mars.
Gjukanoviq është kandidat i Partisë Demokratike të Socialistëve në këto zgjedhje.
Në garë do të jenë edhe gjashtë kandidatë të tjerë.