Zjarrfikësit në Greqi po vijojnë betejën me zjarret, që kanë shkaktuar dëme të shumta në zonat turistike.
Në Peloponez të Greqisë, flakët arritën pranë disa fshatrave turistikë ndërsa banorët dhe turistët u evakuuan. Edhe në Turqi autoritetet njoftuan se më shumë se 100 vatra zjarri janë vënën nën kontroll, ndërsa janë regjistruar të paktën 6 viktima.
Prej dy ditësh avionët dhe helikopterët e zjarrfikësve po punojnë për të vënë nën kontroll një zjarr që shpërtheu në disa fshatra në Greqinë perëndimore.
Zjarri filloi të shtunën në kodrat e fshatit Ziria, në Peloponez të Greqisë, rreth 30 kilometra në lindje të qytetit Patra. Shpejt flakët u përhapën në perëndim drejt bregdetit, duke kaluar autostradën që lidh Athinën me Patrën, qytetin e tretë më të madh të Greqisë, duke e ndarë zonën në dy pjesë.
Disa shtëpi u dogjën, ndërsa autoritetet evakuuan banorët dhe turistët në disa fshatra turistikë.
“Katastrofë, katastrofë… Pemët e mia të ullirit u dogjën, vetëm kafshët e mëdha arrita të shpëtoja. Pulat, lepujt, gjithçka u dogj”, thotë fermeri Dimitris Matzioros.
Era e fortë ndihmoi flakët të përhapën në disa zona, dëri sa arritën në det. Rreth 300 zjarrfikës luftuan gjatë gjithë natës për të shuar zjarrin.
“Kishte shumë erë nga veriperëndimi. Tani ka shumë dëme. Sepse ne kemi shumë pyje, dhe nuk ishin djegur kurrë në 100 vjet”, thotë fermeri Nikos Liemboros.