Ligji për pasurinë e përbashkët ka pasur ngecje në interpretim nga gjyqësori. Sipas shoqërisë civile, gjyqtarët duhet të jenë më të kujdesshëm në zbatimin e këtij ligji.
Drejtoresha e “Inject -Iniciativa për Drejtësi dhe Barazi”, Luljeta Aliu, ka thënë se problemi i aplikimit të drejtë të ligjeve e ka përcjell Kosovën në shumë fusha.
Sipas saj definimi i pasurisë së përbashkët është interepretim i drejtë dhe sistematik i neneve, por që në praktikë gjyqësore ka shumë ngecje e sidomos me hyrjen e ligjit në fuqi përgjatë vitit 2019.
“Problemi i aplikimit të drejtë të ligjeve e ka përcjell Kosovën në shumë fusha, jo vetëm në këtë temë por edhe në fusha të tjera të legjislacionit. Kjo temë specifike edhe nuk e ka pasur vëmendjen e duhur dhe njerëz që e kanë ngritur zërin. Ky definim në bazë të legjislacionit është interpretim sistematik i disa neneve që ndërlidhen dhe jo vetëm në një nen me u fokusuar. Nëse e bëjmë në mënyrë sistematike atëherë Ligji e jep ndarjen në një mënyrë shumë të drejtë e cila është gjysmë për gjysmë për bashkëshortët pa marrë parasysh kush çka ka fitua gjatë martesës”, tha Aliu.
“Në praktikë gjyqësore fatkeqësisht kjo ka pasur ngecje dhe natyrisht me ligjin që ka hyrë në fuqi në 2019 kemi rregulluar disa hapësira ligjore, por megjithatë ka punë për të bërë ende, për shkak se në gjyqësor mendohet se neni 54 i cili është nen tjetër që jep bazën për një vlerësim të kontributeve materiale dhe jo-materiale gjë që nuk ka bazë ligjore. Tani jemi në proces e sipër që ta rregullojmë edhe këtë pjesë me praktikën gjyqësore, ku mendoj që gjyqtarët e kanë vullnetin që t’i rregullojnë gjërat në këtë vend”.
Aliu thekson se duhet të punohet më shumë në këtë drejtim e pa devijuar nga ligji, pasi ai e thotë saktë dhe drejtë se çka saktësisht përfshin pasuria e përbashkët.
“Në bazë të ligjit, nuk mundet edhe tani nëse merret një iniciativë që në bashkëpunim më këshillin gjyqësor dhe gjykatat e tjera të punohet në drejtim të ngritjes së kapaciteteve në interpretim nuk e besoj që do duhej të kishte ndonjë devijim nga ligji. Natyrisht gabimet njerëzore ndodhin gjithmonë, mirëpo nuk duhet të jenë sistematike, ne kemi definuar në vitin 2019 shumë mirë se çfarë është pasuria e përbashkët, dhe tani në Kodin Civil kemi avokuar shumë që ato ndryshime të integrohen duke shpresuar që kur të vije në Kuvend Kodi Civil dhe gratë tona deputetet dhe të gjithë burrat e mirë deputetë këtë çështje ta zgjidhin me votën e tyre”, theksoi tutje ajo.
Tutje ajo tha se në gjykata ka pasur hezitime që të aplikohet ky nen sepse është menduar që është në kundërshtim me nenin 54, i cili është vlerësim i pasurisë së përbashkët ku llogaritet edhe kontributi i amvisërisë me një pagë minimale, për të cilën nuk ka akte nënligjore dhe asnjë kriter, raporton EO.
“Në gjykata ka pasur hezitime që të aplikohet ky nen sepse është menduar që është në kundërshtim me nenin 54 i cili quhet vlerësimi i pasurisë së përbashkët ku në bazë të atij neni është thënë se duhet të vlerësohet kontributi i amvisërisë me një rrogë minimale për të cilën nuk ka asnjë akt nën ligjor e asnjë kriter, e tani e tutje duhet të bazohemi në ligj dhe jo në praktika gjyqësore të mëhershme”.
E në anën tjetër, Arrita Rezniqi nga IKD, tha se sa i përket pjesës së pronësisë së përbashkët nuk ka ndonjë problem specifik, dhe se gjithçka është e rregulluar sipas ligjit, duke shtuar se nuk ka problem tek definimi, shkruan EO.
“Realisht ne në përgjithësi pjesën e pronësisë së përbashkët nuk është që shohim ndonjë problem në aspektin e definimit sipas ligjit, kjo është një çështje e cila është e rregulluar sipas legjislacionit pozitiv, ku përpos definimit i kemi edhe specifikat që janë të parapara të merren parasysh me rastin e përcaktimit të pronësisë së përbashkët, nuk është që ka problem tek definimi, por ajo që duhet pasur kujdes është fakti se sikurse në të gjitha rastet edhe ligji nuk mund t’i parasheh të gjitha specifikat”.
Ajo shton se pasi ligji e thotë qartë atëherë edhe gjyqtarët duhet të jenë më të kujdesshëm dhe të respektojnë ligjin me përpikëri.
“Ligji është shumë i qartë dhe kur të merren vendime gjyqtarët duhet të jenë më të kujdesshëm që ta respektojnë ligjin në përpikëri dhe gjitha ato karakteristika t’i marrin parasysh në këtë rast, por patjetër këtu duhet theksuar edhe faktin për procedurë kontestimore që i bie se gjykata është e lidhur për kërkesën e palës dhe nuk mund të dalë jashtë asaj kërkese, çka do thotë vet pala kur e paraqet kërkesën duhet me qenë shumë specifike”.
Rezniqi shton se nga monitorimi kanë vërejtur që përpos problemeve në interpretim, zvarritje të shumë rasteve nëpër gjykata.
“Nëse flasim nga praktika dhe monitorimi, problematika më e madhe është zvarritja tek rastet, por që hasim edhe në aspekt të vendimmarrjes ku mund të ketë problem në interpretim të dispozitave specifike”, përfundoi ajo.