Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Agim Ademi ka pritur sot (e premte) në takim Agon Ramadanin dhe Getart Hysenin, ish-lojtarë të futsallit.
Ramadani dhe Hyseni ndër vite kanë dhënë kontributin e tyre në futsall duke qenë pjesë e kampionatit vendor, e duke përfaqësuar Kosovën edhe në arenën ndërkombëtare.
Pas një përvoje të gjatë në këtë sport, kryetari Ademi u ofroi hapësirë për të kontribuar edhe më tutje në futsall, por tani duke qenë të përfshirë direkt me pozita zyrtare.
Falë kontributit të dhënë si ndihmës trajner në ekipin A, i pari i FFK-së e emëroi Agon Ramadanin përzgjedhës të ri. Ai në këtë pozitë e pason Arben Simitçiun me të cilin kishin punuar bashkë tash e disa vite, ndërkaq Getart Hysenin e angazhoi si ndihmës trajner, duke e bërë pjesë të ekipit përfaqësues në futsall.
Kryetari Ademi ju uroi shumë suksese në detyrat e reja të dy ish-lojtarëve të futsallit dhe u kërkoi që të punojnë me përkushtimin më të madh që Kosova të arrijë sa më shumë suksese.
Nga ana tjetër, dy të angazhuarit, falënderuan kryetarin e FFK-së për besimin e dhënë dhe premtuan se nga përvoja dhe njohuritë e tyre, do të japin më të mirën për Kosovën.