AC Milan ka zyrtarizuar nënshkrimin e mesfushorit Ardon Jashari nga Club Brugge, në një marrëveshje me vlerë totale prej 39 milionë euro, duke përfshirë edhe bonuset.
21-vjeçari shqiptar ka firmosur një kontratë afatgjatë me kuqezinjtë, e vlefshme deri në qershor të vitit 2030. Në sezonin e ri, ai do të mbajë fanellën me numër 30 në San Siro.
Jashari shkëlqeu në Belgjikë falë qetësisë me topin dhe inteligjencës taktike, duke tërhequr vëmendjen e disa prej klubeve më të mëdha evropiane.
Megjithatë, ishte Milani që veproi me vendosmëri për ta sjellë në Itali, duke e parë si një element të rëndësishëm për të ardhmen e mesfushës.
Transferimi i tij përfaqëson një tjetër hap në strategjinë e klubit për përforcimin e skuadrës, nën drejtimin e trajnerit Massimiliano Allegri.
Për kuqezinjtë, Jashari pritet të sjellë energji, disiplinë dhe vizion në mesfushë, ndërsa ai vetë do të kërkojë të bëjë hapin e madh në një nga ligat më konkurruese në Evropë.