Zyrtare: Fisnik Asllani kalon në huazim nga Hoffenhaim te Austria e Vjenës

Zyrtare: Fisnik Asllani kalon në huazim nga Hoffenhaim te Austria e Vjenës

Austria e Vjenës ka huazuar sulmuesin kosovar Fisnik Asllani nga TSG Hoffenheim.

Të dy klubet kanë rënë dakord që 21-vjeçari të qëndrojë në Vjenë deri në fund të sezonit 2023/24.

“Ne jemi të kënaqur që Fisniku i bashkohet rrugës tonë dhe ideve tona për futbollin. Këtu ai ka mundësinë të bëjë hapin e radhës në karrierën e tij ende të re dhe ne jemi shumë të lumtur t’i ofrojmë atij këtë platformë,” ka thënë drejtori sportiv i klubit Manuel Ortlechner.

Asllani e filloi karrierën e tij futbollistike në Berlin te BFC Dynamo dhe kaloi në skuadrën e të rinjve të Union Berlin në vitin 2016.

Në 2018/19 ai shënoi 23 gola në 23 ndeshje në Bundesligën U17, ndërsa një sezon më vonë kishte 15 gola në 16 ndeshje në kampionatin U19.


Kalimi te Hoffenheim pasoi në verën e vitit 2020, ku Asllani fillimisht luajti për ekipin e dytë. Asllani ka shënuar 17 gola në 53 ndeshje në Regionalliga Sudwest. Ai ka nëntë paraqitje për grupmoshat e Gjermanisë dhe 4 gola. Debutimin e tij në Bundesligë në nëntor 2021 dhe ka bërë dhjetë paraqitje deri më sot.

Fisnik Asllani është shprehur i lumtur për kalimin e tij tek klubi i njohur austriak.

“Jam shumë i lumtur që jam këtu dhe mezi pres të stërvitem me skuadrën për herë të parë dhe të luaj para tifozëve të dielën, kam dëgjuar vetëm gjëra të mira. Për mua kanë rëndësi arritjet e ekipit, të kem sa më shumë ndeshje të jetë e mundur dhe të ndihmojë klubin me gola”, ka thënë sulmuesi.

Related Articles