FC Malisheva ka njoftuar zyrtarisht se pas ndeshjes së fundit kundër FC Ballkanit, kryetrajneri Qatip Osmani ka paraqitur dorëheqjen e tij para kryesisë së klubit.
Pas një analize të detajuar të ecurisë dhe rezultateve të skuadrës, drejtuesit e klubit kanë vendosur ta mirëkuptojnë dhe ta aprovojnë dorëheqjen e tij.
Së bashku me Osmanin, dorëheqje kanë dhënë edhe ndihmës-trajnerët Bashkim Livoreka dhe Liridon Kukaj.
Në komunikatën zyrtare, FC Malisheva ka shprehur mirënjohje të thellë për punën dhe profesionalizmin e treguar nga Osmani gjatë periudhës që ishte në krye të skuadrës.
“Klubi ynë shpreh mirënjohje të thellë për punën, edukatën dhe përkushtimin e Kryetrajnerit Qatip Osmani, i cili gjatë kësaj periudhe, sa ishte pjesë e jona, bëri maksimumin me grupin dhe tregoi kulturë e edukatë të jashtëzakonshme, si në aspektin profesional ashtu edhe në atë njerëzor. Për këto tre muaj, rezultatet nuk ishin ato që prisnim, por klubi fitoi një mik të çmuar dhe, natyrisht, eksperienca e tij la gjurmë edhe tek klubi dhe futbollistët, veçanërisht ata të rinj.” thuhet ndër të tjera në njoftim.
Klubi ka falënderuar gjithashtu ndihmës-trajnerët Bashkim Livoreka dhe Liridon Kukaj për angazhimin, përkushtimin dhe korrektësinë profesionale gjatë gjithë kohës që ishin pjesë e stafit teknik.
“FC Malisheva do t’i mbajë dyert e hapura për bashkëpunim edhe në të ardhmen me secilin prej jush. Deri atëherë, ju urojmë shëndet dhe shumë suksese në rrugëtimin tuaj profesional”, theksohet në komunikatë.
