Rron Broja, një nga futbollistët më të dalluar në Kosovë, ka rinovuar kontratën me skuadrën kampione, Dritën e Gjilanit.
Lajmin e konfirmoi vetë klubi të premten, duke bërë të ditur se mesfushori mitrovicas do të vazhdojë të jetë pjesë e ekipit edhe për tri vite të tjera.
“Kemi kënaqësinë të ju njoftojmë që kemi vazhduar me kapitenin Ron Broja edhe për tri vite të tjera”, thuhet në njoftimin e kampionit të saposhpallur në elitën e futbollit kosovar.
“Kapiteni mbetet besnik ndaj klubit tonë dhe këtë e ka bërë të ditur drejtori sportiv i klubit z. Valon Zymberi sot me prezantimin e tijë në ambientet e klubit”, thuhet tutje në shkrimin e tyre në Facebook.
Broja, që mban shiritin e kapitenit, është i njohur për disiplinën, qetësinë në lojë dhe kontrollin e shkëlqyer në mesin e fushës. Ai ka luajtur një rol kyç në rrugëtimin drejt titullit të kampionit të Dritës.
Karrierën e ka nisur te Trepça ’89, ndërsa përvojë ka fituar edhe jashtë vendit, duke luajtur në kampionatet e Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe Belgjikës.