Pandemia ka dëshmuar se kapacitetet e institucioneve të vendit për menaxhimin e emergjencave civile janë të mangëta. Kosova nga viti 2010 nuk ka strategji kombëtare të sigurisë, kështu ka thënë se ekspertja e Sigurisë, Mbrojtjes dhe Inteligjencës, Besa Kabashi-Ramaj.
Kabashi-Ramaj të nevojshëm po e sheh rishikimin e sektorit të sigurisë, duke ngritur kapacitete e Agjencionit për Menaxhim të Emergjencave. Më tej ajo thotë se rishikimi i reagimit të planit kombëtar e duhet të përditësohet karshi rreziqeve që mund të paraqiten.
“Ne FSK-në e kemi shfrytëzuar shumë më shumë, edhe financiarisht, forcat e armatosura nuk janë opsioni primar për menaxhim të emergjencave civile. Kosova duhet të ngritë kapacitete e Agjencionit për Menaxhim të Emergjencave, duhet të krijojë një sistem funksional në mënyrë që të ju përgjigjet rreziqeve të tilla. Kosova duhet të rishikojë sektorin e sigurisë, duhet të rishikojë karshi një koncepti të përditësuar dhe duhet të draftojë strategjinë e re të sigurisë, sepse Kosova strategji kombëtare të sigurisë nuk ka që nga viti 2010 dhe ajo është jo relevante për momentin ku jemi, pastaj duhet të rishikohet plani i reagimit kombëtar i cili duhet të përditësohet karshi kërcënimeve dhe ministritë e linjës t’i përditësojnë rolet e veta që i kanë”.
Megjithatë, ajo shton se Kosova gjithmonë është vendosur para aktit të kryer pasi që nuk ka pasur sistem efikas të menaxhimit të emergjencave civile.
Tutje, pohon se Kosova nuk është e përgatitur në aspektin sistemor për të ju kundërpërgjigj në mënyrë efikase kërcënimeve dhe rreziqeve që mund të vinë.
Kabashi-Ramaj thotë se pandemia, helmi nga uji, tërmetet, kanë qenë disa nga rastet që kanë vë në pahë që cenimi i sigurisë nuk është vetëm nga rreziku i luftërave mes shteteve.